Gripi i shpendëve, ISUV: U konfirmua 2 ditë më parë, nënproduktet nuk janë të dëmshme për shëndetin

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare  ka dalë me një deklaratë lidhur me situatën alarmante të gripit të shpendëve. Ermira Gjeci, zëvendës ministrja e Bujqësisë tha se janë marrë të gjitha masat.

Gjeci: Veterinerët zyrtarë janë paraqitur në objektin i cili ka pasur dyshime për të kontrolluar situatën. Kanë marrë mostrat e para dhe kanë nisur mostrat në ISUV. Nga data 7 deri në datën 17 mars Shërbimi Veterinar Zyrtar i ministrisë së Bujqësisë ka qenë në ndjekje të të gjithë situatës. Nga data 7 deri në datën 17 rezultatet e Institutit ët Sigurisë Ushqimore në bazë të mostrave kanë rezultuar negative për Influence Aviare dhe pozitive për Laringo Tracheite. Në datën 19 janë marrë mostra të reja nga një subjekt, kanë qenë 18 mostra dhe në orët e pasdites është konfirmuar prezenca e gripit të shpendëve. Me daljen e analizave u morën të gjitha masat për tipologjinë e kësaj sëmundje.

Veterinerët zyrtarë janë në terren, kanë karantinuar zonën e cila ka rezultuar pozitive. Protokolli parashikon që në rrezen prej 3 kilometrash quhet vatra e infeksionit e cila karantinohet dhe në rrezen prej 10 kilometrash është zona e cila monitorohet. Janë vënë nën monitorim fermat e kësaj zone të cilat gjurmohen dhe dërgohen për analizim. Për sa i përket zonës së karantinën veza është e izoluar, AKU ka marrë masat për këto produkte, por kjo sëmundje nuk shkakton problematika te produktet dhe nënproduktet e shpendëve në shëndetin e njerëzve. Mjafton të merren masat e duhura siç është gatimi i produkteve dhe nënprodukteve në 70 gradë.