Shëngjinit “i ikën” deti, superzbatica ditën e ekuinoksit pranveror nxjerr në rërë lokalet mbi ujë
Deti ishte tërhequr disa metra këtë të hënë nga plazhi i Shëngjinit, duke nxjerrë në rërë objektet e ndërtuara në ujë. Superzbatica që i dha pamje të rrallë plazhit, ndodhi ditën e ekuinoksit pranveror.
Kjo ishte pamja e bregdetit të Shëngjinit këtë të hënë, pasi deti ishte tërhequr disa metra nga plazhi.
Ky objekt që zakonisht duket i rrethuar nga uji, kishte dalë zbuluar në rërë.
Zbatica është fenomeni i zakonshëm natyror, por në këto përmasa në Shëngjin nuk kishte ndodhur prej gati 50 vitesh.
Superzbatica në Shëngjin ndodhi ditën e ekuinoksit pranveror që zhvillohet mes 20 dhe 21 marsit që shënon barazimin e ditës me natës me nga 12 orë.
Kjo ngjarje astronomike shënon hyrjen e pranverës.
Pamja e krijuar tërhoqi vëmendjen e vendasve dhe vizitorëve që u gjendën në plazhin që kishte fituar hapësirë.
Tërheqja e detit në këtë përmasa është e rrallë, por avancimi i tij drejt tokës në Shëngjin është kthyer në kërcënim.
Erozioni ka marrë përmasa të frikshme vitet e fundit duke marrë sipërfaqe të mëdha toke kryesisht në zonën e Kunës e cila rrezikon seriozisht ekzistencën e saj.

