“Rruga e mundimeve” në Lezhë, banorët e Rrilës: Premtojnë ndërhyrje vetëm kur kërkojnë vota

Banorët e Rrilës në Lezhë ankohen se aksi vetëm 2 km që i lidh me superstradën po u vështirëson jetën duke u kthyer në rrugën e mundimeve. Premtime për ndërhyrje kanë marrë vetëm kur u kërkojnë votën, por pas zgjedhjeve, asgjë nuk ndryshon.

Kjo është gjendja e rrugës që lidh zonën e kooperativës në Rrilë me superstradën Lezhë-Laç.

Segmenti rrugor me gjatësi rreth 2 km është amortizuar plotësisht, duke u bërë thuajse i pakalueshëm.

Kjo situatë e cila vijon prej vitesh ka penalizuar rreth 500 banor të kësaj zone.

"Populli e ka mbushur vetë me karrocë kështu."

"Është gjithë ky popull këtu dhe nuk kemi asnjë gjë."

Në këto kushte banorët thonë se detyrohen te shmangin lëvizjen në këtë rrugë, duke përshkuar disa kilometër  për tu lidhur me superstradën Lezhë-Laç.

"S'ke pse të kalosh këtej sepse shkatërrojmë makinën."

Sipas banoreve premtimet për ndërhyrje kanë qenë të vazhdueshme në çdo fushate elektorale, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar.

"Na kanë dhënë premtime boll, por asnjë gjë në botë."

"Na kanë lënë në harresë, nuk e di pse. Bëjnë punë partiake, si puna e tifozëve të futbollit."

Kjo rrugë me gjatësi rreth 2 km është rehabilituar dhe asfaltuar vite më parë, por cilësia e dobët e investimit bëri që të dëmtohet brenda një kohe të shpejtë.