Kulluri thirrje anëtarësisë së PD: Ndaloni aventurën shkatërruese nga dy palët në konfliktin aktual
Në një kohë që Lulzim Bashës i kërkohet të dorëhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike nga një numër i madh deputetësh, dy ish-anëtarët e Këshillit Kombëtar të kësaj partie, Edvin Kulluri dhe Ibsen Elezi i bëjnë thirrje anëtarësisë së PD-së që të qëndrojnë të bashkuar. Duke e parë situatën përtej përplasjes, Kulluri dhe Elezi theksuan se në mars 6 u shënua humbja e gjashtë e opozitës në tërësi përballë Partisë Socialiste dhe objektivi për të mundur Edi Ramën duke shumë larg.
Ish-anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së Ibsen Elezi dhe Edvin Kulluri mbajtën një konferencë të posaçme për shtyp lidhur me situatën e krijuar në Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit.
Kulluri u shpreh se PD dhe opozita në tërësi humbën për herë të gjashtë garën përballë mazhorancës socialiste.
Kulluri dhe Elezi kanë kritikuar Lulzim Bashën, për qëndrimet që mban në lidhje me partinë, që sipas tyre po e thellojnë më tej përçarjen.
Kulluri: Këmbëngulja e Lulzim Bashës dhe një pjese të kryetarëve të degëve të DSH-së për të sfiduar shumicën e anëtarësisë së PD-së, po vërteton gjithnjë e më shumë rolin e tij shkatërrues në Partinë Demokratike. Çdo tentativë për të mbajtur të uzurpuar drejtimin e PDSH-së apo për ta ri-uzurpuar përmes një procesi të njëanshëm zgjedhor dhe jo gjithëpërfshirës, po e çon PD-në drejt shkatërrimit përfundimtar të saj. U bëjmë thirrje anëtarësisë së PD-së, që përmes vullnetit të tyre të lirë të ushtrojnë trysni për ndalimin e kësaj aventure shkatërruese. PD ka nevojë për bashkim të menjëhershëm bazuar mbi vlerat e përfaqësimit, garës dhe debatit të lirë.
Kulluri dhe Elezi rezerva patën edhe për procesin e primareve që ka pretenduar të bëjë Komisioni i Rithemelimit.
Elezi: Nuk besoj se është çështja të dalësh kundër ose jo zotit Basha dhe zotit Berisha. Çështja është nëse biem dakord ose nuk biem dakord me shkeljen e një parimi themelor, debati, gara para se të futemi të votohemi. Nëse demokracisë për 30 vjet i është marrë fryma, i është marrë nga eleminimi i këtij procesi të rëndësishëm.
Kulluri: Rënia me 24% të votave në raport me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 flet qartë për rënien e besimit të votuesve të djathtë por jo vetëm tek opozita. Shkaku kryesor për këtë situatë dramatike ka qenë dhe mbete përçarja në PD, të paktën që nga vitit 2017. Grupi i Rithemelimit i dalë nga Kuvendi i datës 11 dhjetor nuk arriti dot të zbatonte vendimet e marra në këtë Kuvend duke mos prodhuar një proces bashkimi të demokratëve.
Në përmbyllje të deklaratës së tyre të përbashkët, dy demokratët shprehen se do të mbështesin çdo nismë për bashkimin e PD-së.
