"Policia e shtetit ka qenë tendecioze", Xhemollari tregon çfarë do të ndodhë sonte para kryeministrisë
Policia e Shtetit ndërhyri pasditen e sotme dhe largoi protestuesit nga bulevardi para kryeministrisë. Ndërhyrja e uniformave blu u shoqërua me tensione të shumta mes qytetarëve dhe efektivëve.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se për të teta ditët që është protestuar është njoftuar Policia e Shtetit dhe ndërhyrja e tyre sot ishte tendecioze.
Xhemollari: Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese asnjë grup apo komunitet që ka dëshirë të protestojë nuk duhet të marrë leje, por thjesht duhet të njoftojë Policinë e Shtetit. Ditën e sotme është bërë njoftimi për protestën që do të zhvillohej në orën 11:00 dhe më pas pasi u hodh si propozim që të rrinim 24 orë para kryeministrisë në shenjë simbolike ndaj kërkesave u bë një njoftim i dytë për Policinë e shtetit. Njoftimi i dytë parashikonte që nga ora 17:00 kur mbaronte leja e parë deri në orën 11:00 të ditës tjetër (20 mars) të vazhdonte protesta në të njëjtin vend. Policia e shtetit gjithë ditën ka qenë tendecioze sot, nuk ka qenë klima si më parë. Kjo tendencë duket edhe tek përgjigjja që ka kthyer Drejtoria e policisë ku thotë "ju do të vazhdoni të protestoni por ama në trotuar, jo para kryeministrisë."
Xhemollari u shpreh se trafiku nuk ishte bllokuar nga protestuesit pasi ata kishin lënë edhe një rrugë të lirë për ambulancat dhe transportin publik që mund të kalonte në atë rrugë.
A ka rënie të interesit të protestuesve në ditën e 8 të protestës?
Xhemollari: Kulmi i kësaj proteste ishte 12 marsi kur Bulevardi u mbush plot. Ai ishte një qëndrim i shumicës së shqiptarëve në atë se ç'ka u demonstrua, pavarësisht se kryeministri e quajti pakicë.
Çfarë parashikohet të ndodhë sonte?
Xhemollari: Ne kemi ndjekur një taktikë nga dita e parë deri ditën e sotme. Ne nuk i marrim, vendimet vetë, ja propozojmë të gjitha sugjerimet qytetarëve që protestojnë dhe ata janë ata që kanë vendosur. Ditën e sotme shumica e qytetarëve që ishin në protestë vendosën të rrinë 24 orë në shesh dhe ditën e sotme do të rrimë siç kemi premtuar 24 orë në sheshin përpara kryeministrisë. Ditët në vijim do të marrim mendimin e të gjithëve dhe do të vendosim se si do të protestohet.
Xhemollari shtoi se ajo që është e rëndësishme është fakti që qytetarët reaguan dhe treguan se po të bëhen bashkë e vënë qeverinë në punë e dalin kundër abuzimit.
