Protesta para kryeministrisë, Rama takohet me fermerët e Katundit të Ri
Kryeministri Rama nga Katundi i Ri në Durrës tha se qeveria do të alokojë edhe 500 milionë lekë për naftën pa akcizë të fermerëve. Rama bëri të ditur gjithashtu se janë ndalur ndërtimet për shkak të trefishimit të çmimeve të hekurit e për pasojë u ndërprenë shumë investime ndër to dhe puna për tunelin e Llogorasë.
Ndërsa fermerët i shkojnë në zyrë dhe i kërkojnë sqarime për krizën në të cilën janë përfshirë, kryeministri Rama zgjodhi një tjetër grup fermerësh në Katund të Ri nga ku transmetoi live nga profili i tij në Facebook bisedën me ta, të cilën protestuesit e quajtën si antimiting.
Ervin Resuli: Zoti kryeministër, jepi Zahos mundësi të kuptojë se qumështi, mishi, djathi, veza nuk vijnë nga supermarketi po prodhohen në fshat, buka e përditshme prodhohet në fshat. Mos bëj antimiting me fermerët se është turpi jot.
Ndërkohë që protestuesit bënin thirrje “Rama ik” përballë kryeministrisë, kryeministri nga Katundi i Ri u ofroi një zgjidhje tjetër duke ironizuar edhe kundërshtarët politikë.
Rama: Hajde bëjmë referendum, kthehmei në Komunizëm dhe në rregull. Me këtë rast iki dhe unë fare nga këtu e shpëtojmë. Komunistët i kemi akoma në formën e njërit që s'e ka marrë vesh që ka vdekur dhe bën sikur është gjallë. Ka dhe ca që janë gjallë po vdesin për atë.
Përballë kërkesave të fermerëve me shumë tokë, Rama i vendosi ultimatum ministres së bujqësisë Frida Krifca datën 7 prill si afatin e fundit për dorëzimin e fondit të rezistencës, të përcaktuar prej 5 milionë dollarësh.
Rama: Çfarë janë sipërfaqe të mëdha verifikohen menjëherë dhe para 7 prillit që është dita e sulmit mbi Durrësin, ata duhet të kenë lekët.
Pavarësisht premtimeve të qeverisë, përfaqësues në këtë takim nuk nguruan të shprehin rezerva për gjendjen e tyre. Edhe për ta kryeministri kishte një zgjidhje.
Rama: Do të marr në krahë unë tani?

