Protesta 24 orë qëndresë e rezistencë, Lapaj: Ka vend për të fituar akoma
Ora 15:00 Një grup i vogël protestuesish vijojnë të qëndrojnë në sheshin “Dëshmorët e Kombit” para kryeministrisë, në kuadër të protestës si rezistencë ndaj qeverisë që të marra masa për të ndërhyrë dhe plotësuar kërkesat të cilat do të ndihmojnë qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet. Mes tyre i ulur këmbëkryq në shesh është dhe Adriatik Lapaj një nga iniciatorët e kësaj proteste.
Po a po dëgjon zërin e kësaj proteste kryeministri?
“Ndalëm rritjen e çmimit të karburantit dhe e ulëm me 70 lekë për litër. U miratua një paketë rezistence. Në kohë krizash qeveritë ndërhyjnë për të ruajtur interesin publik, pjesë e të cilës është edhe ushqimi dhe dje është ngritur me akt normativ bordi i ushqimeve”
Në një prononcim për Ora News, Lapaj i rendit këto si fitore të reagimit dhe rezistencës.
“Qytetarët kanë arritur të fitojnë, por ka vend për të fituar akoma. Qeveria duhet të lëshojë dhe disa gjëra të tjera dhe të marra masa për të arritur në standardin e jetës së qytetarëve të vendeve të rajonit”
Çfarë mund të bëjë më shumë qeveria?
“Deri më 31 maj të pezullojë koncesionet mbi naftën. Ka vend për të dëgjuar më shumë” thotë Lapaj në një prononcim për Ora News.
A është protesta turp?
“Kryeministri duke na sharë ndoshta mendon se e vret protestën por kjo nuk është çështje vetëm e Adriatikut. Le të merret me mua. Unë nuk jam natyre konfliktuale.”
Rezistencë?
Protestën 24 orë në shesh e sheh si rezistencë, një flakë qiriri të shpresës dhe reagimit qytetar.
“Nëse dikush mendonte se do të ndodhte që 15 mijë vetë që ishin këtu në shesh në fillim të jenë akoma kjo nuk ndodh. Të mërkurën i lamë një farë kohe qeverisë. Sot është një protestë simbolike. Do të qëndrojmë 24 orë për të treguar se e kemi seriozisht se kërkojmë akoma më shumë. Nuk do të ndodhë kurrë në jetën time të djeg një institucion. Fuqia jonë është qëndresa dhe argument. Ky model proteste do vazhdojë edhe ne do të jemi gardianët.
Tani është drekë ka pak njerëz, pasdite do të ketë më shumë, natën më pak por ne këtu do të jemi për të mbajtur flakën e qiririt të ndezur të shpresës dhe reagimit”
