Polonia nënshkruan ligjin e Mbrojtjes së Atdheut, rrit shpenzimet dhe trupat ushtarakë

Presidenti polak Andrzej Duda ka nënshkruar projektligjin e Mbrojtjes së Atdheut. Ligji i ri do të rrisë shpenzimet buxhetore për mbrojtjen, do të rrisë numrin e trupave polake, do të përmirësojë mundësitë e trajnimit ushtarak si dhe do të rizhvillojë sistemin e ushtarëve rezervistë.

Nënshkrimi zyrtar i projektligjit është kryer në Pallatin Presidencial në prani të kryeministrit Mateusz Morawiecki, zëvendëskryeministrit Jarosław Kaczyński dhe përfaqësuesve të ushtrisë polake.

Projektligji i ri i Mbrojtjes së Atdheut do të zëvendësojë tërësisht rregulloret e vjetra.

Ai parashikon metoda krejtësisht të reja të financimit të shpenzimeve ushtarake.

Në vitin 2022 buxheti do të shpenzojë jo më pak se 2.2 për qind të PBB-së së Polonisë për mbrojtjen.

Nga viti 2023 shpenzimet do të arrijnë në nivelin 3 për qind të PBB-së.

Çdo katër vjet qeveria, pas konsultimit me Ministrinë e Mbrojtjes dhe NATO-n, do të jetë e detyruar të përcaktojë drejtimet e modernizimit për Forcat e Armatosura.

Planet do të marrin gjithashtu parasysh prodhimin ushtarak dhe zhvillimin shkencor të Polonisë.

Ligji i ri parashikon që burimet e reja të financimit për ushtrinë polake do të përfshijnë: të ardhurat nga dhënia me qira e terreneve të stërvitjes ushtarake për trupat e huaja, ofrimi i shërbimeve të specializuara ushtarake, shitja e pajisjeve ushtarake të vjetruara dhe obligacionet shtetërore.

Përgatitjet për projekt-ligjin u njoftuan disa muaj më parë nga Jarosław Kaczyński, kreu i partisë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi.

Ai tha në atë kohë se Polonia duhet të ketë në dispozicion forcat e armatosura të përshtatshme për llojin e situatës që kemi sot – forca që do të jenë në gjendje të shmangin një sulm dhe do të jenë mjaft të forta për të parandaluar një sulm të tillë.

Polonia do të veprojë për të 'ç'rusifikuar' ekonominë e saj, ka thënë kryeministri Mateusz Morawiecki, duke hequr varësinë nga Rusia me planet për të ndërtuar tubacione të reja gazi dhe për të subvencionuar fermerët për rritjen e çmimeve të plehrave.