Edhe ministri britanik i Shëndetësisë e cilëson Putinin si kriminel lufte

Ministri i Shëndetësisë britanike, Sajid Javid e ka quajtur presidentin Putin si "një kriminel lufte", duke i bërë jehonë fjalëve të presidentit amerikan Joe Biden.

Në Forumin e Pranverës Konservatore, Javid foli për retë e stuhishme të luftës në Evropë dhe pikëllimin e tij kur dëgjoi raportime për varreza masive në Mariupol dhe vrasjen e grave shtatzëna.

“Të mos gabojmë, Vladimir Putin është një kriminel lufte. Ai është një kërcënim për njerëzit e lirë kudo dhe ai do të mbahet përgjegjës”, tha Javid.

Të enjten, ministrat e tjerë të kabinetit, Liz Truss dhe James Cleverly, u shfaqën ngurrues për të përdorur termin kriminel lufte kur i referoheshin Putinit.

Kremlini e ka quajtur përdorimin e frazës nga Biden si retorikë e pafalshme.