A vazhdojnë akoma dyert e blinduara në PD? Ja si përgjigjet deputetja demokrate
Të gjithë palët në Partinë Demokratike, flasin për bashkim të demokratëve, por në realitet përpjekjet duken të vakëta. Lulzim Basha, ripërsëriti qëndrimin se është i gatshëm të behet pjesë e zgjidhjes, por ndërsa deputetët e tij presin dorëheqjen ai asgjë nuk thotë në këtë drejtim. I rezervuar kundrejt emrit të Lulzim Bashës, u shfaq edhe kundërshtari me i madh politik i muajve te fundit Sali Berisha, i cili deklaroi se ai vetë po merret me bashkimin e Partisë Demokratike.
Deputetja e PD-së në Fier, Ilda Dhori e ftuar në studion e Ora Neës në një intervistë me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se PD është sot në një situatë të pazakontë.
Dhori: Pas vendimit të 9 shtatorit për të përjashtuar zotin Berisha nga Grupi Parlamentar kanë ndodhur zhvillime ku elektorati ka filluar të fraksionet në dy pjesëza, qartësisht të ndara dhe të distancuara nga njëra-tjetra dhe kjo ishte e dukshme në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
A përcaktoi 6 marsi kush është shumica?
Dhori: Besoj se 6 marsi qartazi ka treguar edhe në rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme vendore se ky është edhe fraksionimi pak a shumë, plus minus i i elektoratit të PD në bazë.
A ka kërkuar Ilda Dhori dorëheqjen e Bashës?
Dhori: Po. Deri në 6 mars nuk e kam kërkuar, kam respektuar institucionin e PD-së. Por duke parë hap pas hapi dhe rezultatin qartazi të ndarë, i cili është nëj rezultat që tregon copëzimin e elektoratit nuk mundesha më të heshtja dhe nuk mundesha më të shkoja pas një rruge pa krye. Në gjykimin tim ishte vija përfundimtare që do të ndante heshtjen time në këtë moment.
A do të ketë një dorëheqje të Lulzim Bashës?
Dhori: Duke parë këtë zvarritje të procesit të dorëheqjes, në mendimin tim është një shmangie, një marrje e kohës për të shkuar në një dorëheqje apo jo. Duhej që dorëheqja të ishte përfunduar dhe nuk duhej të diskutonim më dorëheqje dhe t''i hapnim rrugë procesit të ribashkimit të demokratëve.
A vazhdojnë akoma dyert e blinduara në PD?
Dhori: Në dijeninë time përderisa vazhdojmë futemi nga dera anësore duhet të jenë. Nuk i kam parë personalisht, por duhet të jenë përderisa ne nuk përdorim derën qendrore për tu futur.
Deputetja Dhori shprehu bindjen se PD është shumë më e madhe se sa të dyja pjesëzat e ndara më 6 mars, prandaj bëri thirrje për ribashkim të demokratëve.