Cikël i tretë studimesh në UMSH, Universiteti Mesdhetar hap programet e Doktoraturës në Shkencat Ekonomike

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë tashmë ofron programe edhe në ciklin e tretë të studimeve. Drejtuesit bënë më dije se kanë nisur aplikimet për doktoraturë në programin e Shkencave Ekonomike.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë kalon në një etapë të re duke hapur ciklin e tretë të studimeve Doktoraturë në Shkencat Ekonomike.

Lajmin e mirë e ndanë në një ceremoni të organizuar enkas për finalizimin e këtij objektivi të rëndësishëm, drejtuesit e këtij Universiteti.

"Kjo padyshim në 13 vite jetë është një hap shumë i suksesshëm. Po bëjmë një hap përpara në një fazë të re, në atë të kërkimit shkencor."

Rektori Adrian Civici, theksoi se kurorëzimi me sukses i programit të doktoraturës, reflekton një ndryshim cilësor brenda vetë Universitetit.

"Të miratohesh për të pasur një program doktoral nënkupton që shumë elementë që kanë të bëjnë sidomos me kërkimin shkencor në funksion të interesave të ekonomisë, financës dhe përgjithësisht zhvillimit të vendit është kontributi i vërtetë që pritet dhe kërkohet nga studimet doktorale."

Në cilësinë e Drejtorit të Shkollës doktorale të Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr Paskal Milo, u shpreh se duke ju përshtatur kësaj fazë të re Universitetit Mesdhetar zotëron potenciale të mëdha shkencore veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe financave.

"Kjo të na shërbejë në të njëjtën kohë si një motiv i madh që të fitojmë të drejtën edhe në fusha të tjera.

Me hapjen e programeve të doktoraturës Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ofron tashmë gamën e plotë të programeve të studimit në 3 cikle.