Presidenti Biden do të flasë me homologun e tij kinez, biseda e parë që prej 16 nëntorit 2021

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden dhe homologu i tij kinez Xi Jinping pritet të zhvillojnë një bisedë të shumëpritur të premten në mes luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve tepër të tensionuara Pekinit dhe Uashingtonit, ku nuk kanë munguar as kërcënimet.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Joe Biden do të bisedojë të premten me presidentin kinez Xi Jinping.

Sipas zëdhënëses së Biden, Jen Psaki dy liderët do të diskutojnë për marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve, si edhe sfidën globale të luftës në Ukrainë.

Sipas Uashingtonit biseda është thirrur nga Shtëpia e Bardhë e cila përmes një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare thotë se bisedimet me Kinën janë përpjekjet e SHBA-ve për të mbajtur kanalet e komunikimit të hapura.

Bisedimet mes dy presidentëve mbahen në një kohë kritike të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Së fundmi SHBA-të kanë kërcënuar Kinën se nëse do të mbështeste Rusinë gjatë sulmit të saj në Ukrainë, do të përballej me pasoja të rënda.

Pas 24 shkurtit shumë diplomatë, madje edhe ish-presidenti Donald Trump kanë paralajmëruar perëndimin se pas Ukrainës, radhën do ta kishte Tajvani. Sipas tyre Kina, e frymëzuar nga Moska do të ndërhynte ushtarakisht në ishull, një dëshirë e hershme e qeverisë kineze, të cilën nuk ngurron ta mohojë edhe sot.

Kritikat ndaj Kinës kanë qenë të shumta në këto tre javë pasi Pekini ka mbajtur një rol neutral në luftën Rusi-Ukrainë, megjithëse dukshëm është më në favor të Moskës.

Pekini zyrtar nuk e ka dënuar ende presidentin Putin për vendimin e tij për të sulmuar Ukrainën në 24 shkurt.

Përpara sulmit ndaj Ukrainës, Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping shënuan pikën më të lartë të marrëdhënieve të tyre.

Biseda e fundit mes presidentit Biden dhe Xi Jinping është zhvilluar në nëntor të vitit 2021 përmes një samiti virtual i cili zgjati tre orë e gjysmë, prej të cilit nuk u shënua progres i madh.