Polonia i kërkoi të vendosë një mision paqeruajtës, Stoltenberg: NATO nuk po planifikon të dërgojë forca në Ukrainë

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ju përgjigj sot, 16 mars kërkesës së Polonisë për të vendosur një mision paqeruajtës në Ukrainë dhe tha se aleanca nuk po planifikonte të dërgonte forca në Ukrainë.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë, Presidentit Vladimi Putin që të tërheqë forcat e tij, por ne nuk kemi plane për të vendosur trupa të NATO-s në terren në Ukrainë”, tha Stoltenberg pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

Megjithatë, ministrat e mbrojtjes të NATO-s të mërkurën i ngarkuan komandantët ushtarakë që të hartonin plane për të forcuar krahun lindor të aleancës pas pushtimit rus të Ukrainës, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. 

Zëvendëskryeministri i Polonisë Jaroslaw Kaczynski bëri thirrje për dërgimin e një misioni paqeruajtës ndërkombëtar në Ukrainë. Kjo u propozua pas një takimi të martën, 15 mars me krerët e Polonisë, Sllovenisë, Republikës Çeke dhe Ukrainës në Kiev.

"Unë besoj se nevojitet një mision paqeje i NATO-s ose një mision më i gjerë traktati ndërkombëtar, i cili do të jetë në gjendje të mbrojë veten dhe që do të veprojë në Ukrainë," tha Kaczynski, sipas zyrës së kryeministrit polak.