"Putin kriminel lufte?" Kremlini dënon deklaratën e Biden: E pafalshme. Putin flet për tradhtarë
Kremlini e quan të pafalshme etiketimin nga presidenti Joe Biden të presidentit Vladimir Putin si "kriminel lufte".
Akuza e Biden erdhi pasi ministria e Jashtme e Ukrainës tha të mërkurën (16 mars) se forcat ruse hodhën një bombë të fuqishme në një teatër në qytetin port jugor të rrethuar të Mariupolit, duke lënë shumë civilë të bllokuar dhe një numër të panjohur viktimash.
Nga ana e tij Presidenti rus Vladimir Putin i ka quajtur tradhtarë kombëtarë rusët pro-perëndimorë, që nuk janë pajtuar me pushtimin e Ukrainës.
Perëndimi, tha Putin, do të përpiqet të mbështetet në të ashtuquajturën kolonë të pestë, tek tradhtarët kombëtarë.
Termi “kolona e pestë” zakonisht i referohet simpatizantëve të armikut dhe e ka origjinën gjatë Luftës Civile Spanjolle.
Udhëheqësi rus, forcat e të cilit janë bllokuar në Ukrainë dhe vendi i të cilit po përballet me katastrofë ekonomike për shkak të sanksioneve perëndimore, shpesh ka fajësuar ndikimet perëndimore për atë që e mundon vendin e tij.
