Kuleba: Marrëveshja është shumë larg, ultimatumet ruse i kërkojnë Kievit një dorëzim të papranueshëm

Marrëveshja e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë është ende shumë larg, mes detajeve që duhen paraqitur dhe kompromiseve që duhen pranuar.

Pas lajmit të një plani 15-pikësh, i cili kishte dhënë shpresë për një marrëveshje më të ngushtë, entuziazmi u frenua nga ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i cili uli pritshmëritë:

"Duhet të jem i qartë, të dy delegacionet, si ai rus dhe ai ukrainas, janë larg arritjes së një marrëveshjeje për situatën aktuale”.

Ai shpjegoi se ka një sërë faktorësh që bëjnë ndryshim në pozicionin rus në bisedime.

"E para është rezistenca e ashpër e ushtrisë ukrainase dhe popullit në terren, e dyta janë sanksionet e vendosura mbi Rusinë, të cilat shkaktojnë kolaps dhe vuajtje të ekonomisë ruse. Faktorë që e kanë detyruar Rusinë të ndryshojë pak pozicionin e saj. Nuk mund ta quaj një ndryshim dramatik apo serioz, por duke pasur parasysh rrethanat, çdo ndryshim në pozicionin rus është konstruktiv, sepse ata fillojnë me ultimatume, që kur bashkohen, përbëjnë një dorëzim të njëanshëm të Ukrainës dhe kjo nuk është e pranueshme”. 

Presidenti Volodymyr Zelensky përsëriti gjithashtu nevojën për të arritur një zgjidhje për negociatat:

"Prioritetet e mia janë të qarta: fundi i luftës, garancitë e sigurisë, sovraniteti, rivendosja e integritetit territorial, garancitë reale për ne, mbrojtje e vërtetë për vendin tonë. Nëse lufta kundër popullit ukrainas vazhdon, nënat ruse do të humbasin më shumë fëmijë sesa në luftërat afgane dhe çeçene së bashku". 

Sipas një vlerësimi amerikan, deri më tani 7 mijë ushtarë rusë kanë vdekur në luftimet në Ukrainë dhe të paktën 14 mijë janë plagosur.