Vijojnë tenderat pa garë në Durrës, 384 mln lekë pa konkurrencë për riparimin e mjediseve mes pallateve

Mungesa e konkurrencës vijon të jetë prezente në tenderat me vlerë të lartë që prokurohen nga institucionet e qeverisjes vendore. Së fundmi, Bashkia Durrës ka shpallur fituesit e dy tenderave për riparimin e mjediseve të përbashkëta në 5 njësi administrative në qytet, si dhe në Rrashbull dhe Manëz me fond limit 384 milionë lekë.

Rreth 384 milionë lekë do të japë Bashkia e Durrësit për riparimin e mjediseve të përbashkëta të pallateve të dëmtuara nga tërmeti.

Sipas dokumenteve të tenderit, procedura është e ndarë në 2 lote dhe përfshin rikonstruksionin në njësitë 1,2,3,4, 5, si dhe hapësirat në Rrashbull dhe Manëz.

Për lotin e parë të kësaj procedure me fond limit 176.4 milionë lekë ka shfaqur interes vetëm kompania Eurondërtimi 2000 në pronësi të Qani Saraçit.

Referuar të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike ky operator, i cili ka kërkuar 176.3 milionë lekë nga Bashkia Durrës, 141 mijë lekë më pak se fondi limit është shpallur dhe fitues pasi nuk ka pasur asnjë konkurrent përballë.

Open Data e ka shënuar këtë tender me simbolin e flamurit të kuq me shënimin mungesë konkurrence.

E njëjta situatë ka ndodhur dhe me lotin e dytë. Në tender ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve Rajli Ndërtim dhe G.P.G. COMPANY me administratorë Enkelejda Gojashin, Lediana Matën, si dhe Paqësor Buzi me Gëzim Danin.

Për realizimin e kësaj procedure, këto kompani kanë kërkuar një vlerë të përafërt me fondin limit që është 206.8 milionë lekë.

Edhe në këtë rast nuk ka munguar sinjalizimi me flamur të kuq i Open Data për mungesë konkurrence.

Denoncimet për tendera pa garë dhe sinjalizimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike për shkelje të procedurave nga institucionet shtetërore dhe ato të qeverisjes vendore duket se nuk kanë pasur asnjë ndikim.

Vijojnë tenderat pa garë në Durrës, 384 mln lekë pa