Shtjefni: Ndërhyrja e qeverisë në treg e dëmshme, duhet të përgjysmonte taksat mbi naftën

Kryeministri Rama prezantoi sot 7 masa të “Paketës së Rezistencës Sociale”, nga indeksimi i pensioneve te kompensimi i çmimeve të shportës dhe biletave, por taksat për naftën nuk do të hiqen.

Zef Shtjefni, përfaqësues i shoqatës së eksportuesve dhe prodhuesve, i ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se qeveria duhet ti kishte paraprirë përpara kësaj situarte dhe të mos marrë masa të nxituara nën presionin e protestave të qytetarëve.

Shtjefni: Ne nuk jemi kundërshtarë të qeverisë, jemi partnerë, e kemi ortake qeverinë. Por kur një ortak është arrogant, nuk të dëgjon, ndodh që duhet të dëgjosh kur ngrihet populli. Por kur problemet sociale agravohen është vonë pastaj se merr masa me nxitim dhe nuk i mer të menduara. Qeveria e ka pasur detyrim të  marrë masa paraprake.

Për Shtjefnin, ndërhyrja e qeverisë në treg është e dëmshme, ajo duhet të ulte taksat mbi naftën.

Shtjefni: Për naftën, 3.5/5 e çmimit  ishin taksa, qeveria  mund të ndërhynte për uljen e taksave të veta. Ndërhyrja e qeverisë në treg është e dëmshme. Operatorët do ta kenë të vështirë të sjellin naftë, do ta marrin me çmim burse. Qeveria duhet të ndalojë dorën e saj në këtë moment të vështirë. Niveli fiskal mbi narftën është i madh, qeveria duhet ti ulë deri në përgjysmim. Është një moment por do kalojë. Jo vetëm ti thotë bizneseve ulni çmimet, por ti thotë vetes së pari uli taksat.

Sipërmarrësi e kupton dhe pozicionin e qeverisë por nga ana tjetër kujton se çdo barrë mbi biznesin në fund rëndon te konsumatori.

Shtjefni: Qeveria nuk e ka të lehtë të heqë dorë mbi një taksë por në krahasim me vendet e tjera niveli i taksave mbi naftën është shumë i madh. Kanë futur dhe taksën e qarkullimit aty, e kanë më të lehtë mbledhjen por niveli i taksave te nafta është jashtëzakonisht i rëndë. Fillo nga vetja, gjej mënyrën për të ulur nivelin e taksave. Për naftën që ka qenë brenda Shqipërisë para se të vinte kriza ok, qeveria mund të ulet me faktorët ta diskutojë. Por ta kalojë barrën e krizës vetëm, te biznesi nuk më duket e drejtë. Qeveria tenton të mbrojë fashën e dobët dhe biznesin e vogël por nuk e  mbron dot. Të gjitha produktet tona shkojnë te konsumatorët.

Shtjefni thotë se biznesi i madh është prodhues dhe nuk ka si ikën nga vëmendja e qeverisë.

Shtjefni: Ne nuk mund të bëjmë kërkesa pa logjikë por ne i themi ato që mund të bëjë.Për energjinë elektrike i kemi kërkuar që aq sa blen jashtë të rrisë aq % të faturës por jo energjinë që e prodhon me HEC-e të partisë së punës. Me fotovoltaikët duhet të kishim ecur më përpara. Mosdëgjimi ka qenë ves i gjitha qeverive.