Si përcaktohet çmimi tavan i karburantit. Gjoba 2 e 10 mln lekë deri në heqjen e licencës dhe përjashtimi nga APP
Publikohet në fletore zyrtare si do të caktohet çmimi tavan për shitjen për gazoilin, benzinën dhe gazin e lëngshëm të naftës.
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit cakton çdo javë ose kur e vlerëson të nevojshme, në diskrecion të tij, çmimin tavan për shitjen për gazoilin, benzinën dhe gazin e lëngshëm të naftës.
Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë. Ndërsa shoqëritë e tregtimit me pakicë dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë.
Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit.
Gjithashtu të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë apo pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse.
Mosmarrja e masave nga shoqëritë private dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Kush vendos gjobën?
Të drejtën e dhënies së masave administrative me gjobë, e ka Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Si përcaktohet çmimi?
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit cakton çdo javë ose kur e vlerëson të nevojshme, në diskrecion të tij, çmimin tavan për shitjen për gazoilin, benzinën dhe gazin e lëngshëm të naftës, sipas metodologjisë së mëposhtme:
a) Çmimi i shpallur nga bursa në Platts i një dite më parë nga mbledhja e Bordit, në kushtet CIF
Med, për gazoilin, e standardit SSH EN 590 2018, benzinën e standardit SSH EN 228 2018 dhe gazin
e lëngshëm të naftës përkatësisht propan, butan dhe përzierjen e tyre;
b) Çmimit të përcaktuar në shkronjën “a”, të këtij neni, i shtohet një vlerë premio prej 20
USD/ton;
c) Për shoqëritë e tregtimit me shumicë lejohet një shtesë jo më shumë se 1 % mbi çmimin e
përllogaritur, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas
legjislacionit në fuqi;
ç) Për shoqëritë e tregtimit me pakicë lejohet një shtesë jo më shumë se 5% mbi çmimin e
përllogaritur, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas
legjislacionit në fuqi.
Përbërja e bordit?
Në rastin e situatave të veçanta ngrihet dhe funksionon Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit
2. Bordi ka në përbërje:
a) ministrin përgjegjës për ekonominë, në cilësinë e kryetarit;
b) ministrin përgjegjës për hidrokarburet;
c) Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve;
ç) Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave;d)
5 përfaqësues nga shoqëritë e hidrokarbureve, ndër të cilët 3 përfaqësues nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe 2 përfaqësues të tregtimit me pakicë të hidrokarbureve;
dh) 2 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, në nivel drejtuesi;
e) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat, në nivel drejtuesi të lartë.
Mbledhja e bordit mund të bëhet edhe online. Bordi mund të ftojë të marrin pjesë në mbledhjet e tij edhe përfaqësues të tjerë nga institucione shtetërore, ekspertë të fushës apo grupe interesi.
“Albpetrol”, sh.a. me qëllim përmirësimin e situatës me furnizim të hidrokarbureve, ka të drejtë të hyjë në marrëveshje direkte me shoqëri private ose publike.
Fletorja zyrtare e dates Nr. 40, 14 mars 2022
