Rritja e çmimeve, Guxholli: Të bëhet reformim sa më parë. Masat e qeverisë asnjë efekt te popullsia
Ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli, ka komentuar krizën ekonomike në Shqipëri, ku si pasojë prej 6 ditësh qindra shqiptarë po protestojnë për uljen e çmimeve.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Besmira Pelushaj, Guxholli shprehet kjo krizë nuk ndihet në asnjë vend të Evropës ashtu siç ndihet tek ne.
Ajo ka shtuar se rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar nuk varet nga ne, ndërsa shton se: qeveria nuk është e larë
Suzana Guxholli: Në fakt është një krizë botërore, dhe shkaku për rritjen e çmimeve është marrë nga bursat. Produktet e shportës që e kanë bërë të ndjeshëm rritjen e çmimit, janë produkte që në njëfarë mënyre lidhen me rritjen e çmimeve të rregulluar nga tregu ndërkombëtar. Rritja në tregun ndërkombëtar është një faktor që nuk varet nga ne. Këtu mos të themi se qeveria është e larë dhe ne s’kemi çfarë bëjmë. Kjo krizë nuk ndihet në asnjë vend në Evropë aq sa ndihet te ne sepse ne jemi vendi më i varfër në Evropë. Kemi një ekonomi të brishtë dhe të dërrmuar.
Ajo tha se ndërhyrja e qeverisë me qeverisë me bordin e administratës, nuk ka asnjë efekt te popullsia.
Guxholli shprehet se rritja e çmimeve prek menjëherë rrogat minimaliste që janë 30 mijë lekë të reja, ndërsa shtoi se revolta e qytetarëve vjen pasi rritja e çmimeve ja reflektuar te buka edhe pse ka rezerva për tre muaj.
Suzana Guxholli: Fakti që ka një lëvizje kaq të madhe dhe një reagim nga ana e popullsisë tregon që nuk është e mjaftueshme. Në një vend ku 35% është në varfëri dhe 50% e popullsisë është shumë afër kufirit të varfërisë. Një rritje e çmimit prek menjëherë rrogat minimaliste që janë 30 mijë lekë të reja. I bie që gati gjysma e popullsisë të jetë në varfëri. Popullsia ka reagim sepse i është prekur buka. Rritja e çmimit të bukës u reflektua menjëherë pavarësisht se ka rezerva tre mujore tek ata që e tregtojnë grurin. Nuk ja vë fajin biznesit, por është një kompleks faktorësh që duhet të veprojnë së bashku.
Ajo theksoi se: qeveria me paketën e ndihmës që nxori dje, nuk bëri gjë tjetër por i mblodhi në një listë ato që kishte parashikuar në buxhet. Nuk ka ndonjë masë speciale në këtë drejtim.
Ekspertja theksoi se duhet të bëhet një lloj reformimi sa më parë të jetë e mundur.
Suzana Guxholli: Çmimi i karburantit në Shqipëri është shumë më i lartë se në vendet e tjera. Duhet bërë një lloj reformimi sa jemi në kohë se më vonë situate do vazhdojë të precipitojë. Duke qenë se ne kemi rroga shumë të ulëta çdo rritje e çmimit e ka efektin shumë të madh.
Përgatiti Anila Kolgjini.
