Kur dimri po shkon, ARRSH hap tenderin mbi 5 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrugëve

Në kulmin e debateve për çmimet e larta dhe kur dimri po shkon, qeveria ka hapur tenderin me 5 miliardë lekë për mirëmbajtjen e akseve rrugore. Në dokumente zyrtare kërkohet që pjesëmarrësit të kenë numër të lartë mjetesh, punonjësish por dhe inxhinierësh në rang drejtuesi.

Tirane - Pesë miliardë e 168 milionë lekë do të japë qeveria për “Mirëmbajtjen e akseve kryesore të tre rajoneve veriore, qendrore dhe jugore.

Sipas dokumenteve të tenderit, prokurimi është ndarë në tre lotë. 

Në dokumentet zyrtare citohet se fituesi do të përzgjidhet në bazë të formulës duke i dhënë 50 pikë çmimit më të ulët dhe po kaq kritereve subjektive si ndikimi në mjedisin social, organizimi i kompanisë dhe garancia e punimeve.

Në dokumentet e tenderit përcaktohet se kompanitë pjesëmarrëse duhet të kenë minimalisht 114 punonjës me kontrata të nënshkruara për periudhën shtator-shkurt të këtij viti.

Por po ashtu dhe kërkesat për drejtuesit kanë përcaktime të qarta.

Kështu subjekteve pjesëmarrës u kërkohen në nivel drejtues teknik 4 inxhinierë ndërtimi, mekanikë, Gjeologë mjedisi, të cilët duhet të kenë kontratat e punës dhe diplomat. Një tjetër kusht është deklarimi që do të angazhohen me kohë të plotë në realizimin e kontratës.

Gjithashtu përcaktohet që operatorët duhet të kenë të punësuar minimalisht 32 punonjës manovratorë.

Afati i kontratës do të jetë për 48 muaj, gjatë së cilës kompanive fituese do të kërkohet mirëmbajtja e akseve të 3 rajoneve.