Tre mijë lekë kompensim për pensionistët, më 1 prill nis zbatimi i paketës së rezistencës

Prej datës 1 prill do të nisë zbatimi i paketës së rezistencës. Përmes saj, pensionistët dhe personat me ndihmë ekonomike do të marrin 3 mijë lekë kompensim. Ndryshim do të ketë dhe paga minimale, por edhe pensionet do të rriten me 3 përqind. Nga ana tjetër qeveria parashikon të shtojë edhe të ardhurat në buxhet.

Protestat e qytetarëve për rritjen e shpejtë të çmimeve detyruan qeverinë të marrë masa duke ndryshuar buxhetin e shtetit të këtij viti. 

Paketa e rezistencës tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare duke reflektuar ndryshimin e buxhetit të shtetit përmes aktit normativ.

Të ardhurat dhe shpenzimet janë parashikuar me një rritje rreth 10 miliardë lekë, ndërsa ndërsa defiçiti buxhetor ka qendruar i pandryshuar në 100.8 miliardë lekë.

Paga minimale duhej të rritej me 2 mijë lekë në muajin korrik, por për shkak të emergjencës do të hyjë në fuqi nga 1 prilli.

Në të njëjtën kohë do të rriten edhe pensionet me 3.3 përqind.

"Ne do të indeksojmë pensionet me 3.3%, sipas ligjit ajo bëhet me mesataren e vitit të kaluar, por ajo ishte 2.4%. Ne vendosëm të marrim mesataren e shkurtit, është 1 miliardë lekë më shumë. Do të mbështesim rreth 570 mijë persona me 3 mijë lekë të reja në muaj për 3 muaj".

Ndërhyrje janë bërë edhe në uljen e fondit rezervë të qeverisë në afro 250 milionë lekë, dhe të shpronësimeve me 104 milionë lekë. 

6 miliardë lekë do të jepet për mbështetjen e shtresave në nevojë, ku përfshihet edhe sektori i transportit dhe bujqësisë.

"Kemi disa kategori të veçanta që do të mbështesim, me aq sa e kemi mundësinë. Ne do të mbështesim personat me pension invaliditetit, pensionet familjare, pensionistët që marrin më pak se paga minimale, që është edhe numri më i madh, të gjithë pensionistët e vetmuar.

Do të mbështesim të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, persona me aftësi të kufizuara, të verbëritë dhe kategorinë e paraplegjikë, tetraplegjikë. Do të mbështesim edhe të gjithë fermerët, sepse ajo kategori që preket më shumë janë pikërisht fermerët, 1.45 miliardë lekë.

Do të mbështesim transportin publik, do të ruajmë çmimin e biletës, që kriza mos të na japë efekt në buxhetin familjar. Nga prilli paga minimale rritet me 2 mijë lekë. Kjo është një paketë e cila e ridimensionoj komplet buxhetin, kemi prerë shpenzimet".