Çmimi i naftës ulet edhe me 8 lekë. Deri më 21 mars do të jetë 203 lekë/ litri

Nafta do të shitet në tregun shqiptar me një çmim prej 203 lekësh për lidër deri në datën 21 mars.

Është ky vendimi i fundit i Bordit të Administrimit të Karburanteve, i cili ka vendosur që duke filluar nga 17 mars deri më 21 mars nafta të shitet me një çmim prej 8 lekësh më lirë për litër.

Kjo zbritje e urdhëruar nga qeveria, vjen pas uljes së çmimit të naftës edhe në tregjet ndërkombëtare. Këtë javë çmimi zbriti poshtë nivelit të 100 dollarëve për fuçi, shumë më ulët se një javë më parë kur çmimi i saj kërceu në 130 dollarë. Në mbledhjen e së mërkurës, Bordi ka vendosur që çmimi i shitjes me pakicë të benzinës të ulet nga 211 lekë për litër në 206 lekë. Ndërsa çmimi i gazit nuk ndryshon duke qëndruar 93 lekë/litri.

Vendimi i bordit është detyrues për të gjithë operatorët e sektorit të hidrokarbureve në vend.

Nëse nga kontrollet konstatohet se kompanitë nuk tregtojnë me çmimin e fiksuar nga Bordi, do të aplikohen gjoba deri në heqje të licencës në rast të përsëritjes sipas aktit normativ të qeverisë që ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dy ditë më parë.

Bordi i Administrimit do të mblidhet të hënën e ardhshme për të bërë me dije pasqyrimin e çmimeve të shitjes.

 

Çmimi i naftës ulet edhe me 8 lekë. Deri më 21 mars do

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 16.3.2022

Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve  të tregtimit  me shumicë/pakicë,  sot në datë 16 mars 2022, në mbledhjen e tij të rradhës,  bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, ky Bord vendosi:

1.      Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 199 lekë/litër,  dhe nënproduktit benzinë  për periudhën 16 Mars-21 Mars 2022, të jetë 193 lekë/litër

2.      Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të  jetë 203 lekë/litri.

3.      Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228  për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të  jetë 206 lekë/litri.

4.      Çmimi i shitjes me pakicë të  nënproduktit gaz për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të jetë I pandryshueshëm 93  lekë/litri.

Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e hënë, datë 21.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.