INSTAT: Punësimi u rrit në sektorët e industrisë dhe shërbimeve, por bie për bujqësinë
Numri i personave të papunë gjatë vitit të kaluar është ulur, por nuk ka arritur ende nivelet e para pandemisë. Sipas raportit të fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave pavarësisht përmirësimit të punësimit janë më shumë se 10 mijë të punësuar më pak se në tremujorin e katërt të vitit 2019.
Shkalla më e lartë e papunësisë është tek grupmosha 15-29 vjeç me 20.6 për qind duke pësuar rritje nga tremujori i tretë kur ky nivel ishte 19.9 për qind.
Referuar shifrave, punësimi ka regjistruar rritje në sektorin e industrisë dhe shërbimeve, por ka rënie për bujqësinë.
Ndërkohë, paga mujore mesatare në fund të vitit 2021 ka arritur 59.5 mijë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave të INSTAT në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, pagat janë rritur me 4 600 lekë.
Rritja më e madhe e pagave është regjistruar tek shërbimet financiare dhe të sigurimit, e ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni.
Rritja me 90.7 mijë lekë për këtë profesion ka ardhur pas kërkesës për shërbime informatike në periudhën pas pandemisë. Më të paguarit pas tyre janë ata që punojnë në administratë, ndërsa më pak të paguarit janë të punësuarit në bujqësi dhe peshkim
Por kjo rritje e pagave është zhvlerësuar nga inflacioni, i cili në shkurt arriti në rekordin e dekadës prej 3.9%. Rritja e inflacionit është e përqendruar kryesisht tek produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit. Rritja e çmimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë po e bën të pamundur që një individ i vetëm të përballojë kostot e familjes.

