Merkoçi: Nëse protesta merr ngjyra partiake është e dështuar, politikanët po të duan të vijnë si qytetarë

Aktivisti Fatmir Merkoçi, kryeministrin Edi Rama e konsideron narcist, pasi sipas tij mendon vetëm për veten dhe jo për shqiptarët.

Në një intervistë për Ora News, Merkoçi, protesta që zhvillohet që prej 6 ditësh përpara Kryeministrisë, është e njëjta skemë si ajo që është zhvilluar për rrëzimin e diktaturës së Enver Hoxhës.

Fatmir Merkoçi: Në emrin e demokracisë ka shumë abuzime. Ne kemi një shtet të kapur. Kemi një kryeministër narcist, një njeri i cili nuk njeh askënd tjetër përveç vetes, dhe kërkon të kthehet në pasha e Shqipërisë. Protesta që nisi në Tiranë, u shpërnda edhe në Shqipëri. E njëjta skemë ka qenë kur ka rënë dhe diktatura e Enver Hoxhës. Protesta nisi dhe nuk do të ndalet. Për pikat që ne kemi kërkuar nuk ka pasur asnjë  përgjigje nga qeveria.

Ai tha se të shtunën e kësaj jave do të ketë një protestë kombëtare, ndërsa shtoi se protesta nuk do të ndalet deri sa qeveria të plotësojë kërkesat.

Fatmir Merkoçi: Ditën e shtunë do të bëhet një marshim i madh, ku do të vendoset se si do vijoj protesta.

Vendet e tjera që kanë çmim me të ulët se sa ne nuk kanë burim nafte. Shqiptarët po detyron të marrin në Mal të Zi më lirë naftën se sa në Shqipëri që ne e kemi. Rama luajti me tërmetin, me pandeminë, u tall me shqiptarët, tha do të japë këtë dhe s’do të japë asgjë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi pasur një opozitë copë copë.

Ndër të tjera ai shtoi se nëse protesta merr ngjyra politike është e dështuar.

Fatmir Merkoçi: Kjo është e veçanta e kësaj proteste, se këtë protestë nuk po e udhëheqin partitë politike por populli. Protesta është e popullit dhe jo e partive. Çdo anëtar i partisë mund të vij si qytetar i thjesht, por jo ta kthejë protestën në politike. Në momentin që protesta merr ngjyrën  e partisë, në atë moment unë them se protesta dështon. Dështimi i protestës kësaj radhe do ishte fundi.  

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.