"Basha të largohet", anëtarësia e Njësisë nr.8 kërkon hapjen e garës për kryetar të PD-së
Një pjesë e anëtarëve të njësisë nr.8 në Tiranë kërkojnë largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i selisë blu. Ndryshe nga kryetari i kësaj dege, anëtarët deklaruar se Basha duhet të lejojë hapjen e garës për kryetar partie sipas parimit një anëtar një votë, kjo si e vetmja mënyrë për të bashkuar demokratët.
"Sot jemi këtu, anëtarët e PD-së, dega 8 Tiranë. Kemi dëgjuar ish-kryetarin e shkarkuar tashmë të degës 8 që i kërkonte Lulzim Bashës mos jepte dorëheqjen sepse kishte mbështetjen e anëtarësisë. Lulzim Basha është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
Janë ratifikuar vendimet nga Referendumi i datës 18 dhjetor. Detyra e tij është të largohet nga zyrat e PD, të dorëzojë logon e konfiskuar që është marrë peng nga shumë njerëz, jo vetëm nga Edi Rama, të hapë rrugën për garën e zgjedhjeve të PD-së sipas standardit një anëtar një votë. Bashkimi i PD-së vjen vetëm nga vota. Blofet dhe fasadat që po luhen sot në selinë e konfiskuar të PD-së vetëm e dëmtojnë më shumë këtë forcë politike."
