Aleati kryesor i Putin pranon se lufta në Ukrainë ka qenë më e ngadaltë se sa pritej

Një nga aleatët më të afërt të Presidentit Vladimir Putin tha se operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë nuk kishte shkuar ashtu si Kremlini donte.

“Do të doja të them se jo gjithçka po shkon aq shpejt sa ne do të donim”, tha Viktor Zolotov, i cili është një aleat i ngushtë dhe ish-truproja i Presidentit Vladimir Putin.

Ky është pranimi më i fortë deri më tani nga një zyrtar i Kremlinit se pushtimi rus i Ukrainës ka qenë më i ngadaltë se sa pritej.

Ai tha se shkak për përparimin e dobët të Rusisë ishin elementët e ekstremit të djathtë që fshiheshin në mesin e popullsisë ukrainase. Kjo është një akuzë e përdorur vazhdimisht nga Moska për të justifikuar pushtimin e saj se neo-nazistët janë infiltruar në Ukrainë.

Komentet, të cilat Reuters raporton se janë publikuar në faqen zyrtare të Gardës Kombëtare të Rusisë, nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga BBC.