Roma, Antalia dhe Bjellorusia: tre vendtakime diplomatësh për të gjetur një rrugëzgjidhje
Diplomatët po mbajnë hapur kanalet e negociatave për një armëpushim në Ukrainë. Zyrtarë të lartë nga e gjithë bota janë angazhuar në Romë, Ankara dhe Bjellorusi për t’i dhënë zgjidhje situatës. Këtë të hënë amerikanët do të takohen me kinezët në Romë për situatën e krijuar.
Një takim i rëndësishëm për t’i dhënë udhë zgjidhjes së krizës së sigurisë kontinentale dhe botërore që ka shkaktuar lufta në Ukrainë është ai i fillimjavës në Romë.
Zyrtari i lartë i inteligjencës dhe sigurisë amerikane Jake Sullivan do të takohet me kryediplomatin kinez Yang Jiachi. Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë të dielën se të dyja palët do të diskutojnë përpjekjet e vazhdueshme për të menaxhuar konkurrencën midis të dy vendeve dhe në agjendë janë edhe diskutimet për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ndikimin e saj në sigurinë rajonale dhe globale.
Më herët, mediat amerikane shkruan se Rusia ditët e fundit i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake, përfshirë dronët. Në një intervistë për CNN, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se ata "po komunikonin drejtpërdrejt me Pekinin ndërsa shtoi se do të kishte pasoja për përpjekjet në shmangien e sanksioneve ndaj Rusisë ose mbështetjen e saj për t’i kundërshtur ato".
Ndërkohë, në Antalia-ja të Turqisë gjithashtu janë duke u zhvilluar takime të rëndësishme ndërkombëtare për situatën në Ukrainë. Turqi ka marrë një pozicion të “neutralitetit aktiv” siç e cilëson ajo dhe kërkon të ndërmjetësojë mes palëve për një armëpushim.
Po ashtu, palët ndërluftuese ukrainase dhe ruse janë në tavolinën e negociatave edhe në Bjellorusi.