SHBA paralajmëron Kinën që të mos ndihmojë Rusinë, Pekini e quan "Keqinformim"

SHBA thotë se Kina do të përballet me "pasoja" të rënda nëse ndihmon Rusinë në pushtimin e Ukrainës shkruajnë mediat amerikane.

Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të Uashingtonit, thonë se Rusia ditët e fundit i ka kërkuar Kinës posaçërisht pajisje ushtarake, përfshirë dronët. Në një intervistë për CNN, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se ata "po komunikonin drejtpërdrejtë, privatisht me Pekinin”

"Ne nuk do të lejojmë që kjo të shkojë përpara dhe të lejojmë që Rusia të ketë një rrugë shpëtimi nga këto sanksione ekonomike nga çdo vend, kudo në botë," -tha ai.

Ai shtoi se ndërsa SHBA-të besonin se Kina ishte e vetëdijshme se udhëheqësi rus Vladimir Putin po "planifikonte diçka" përpara se të ndodhte pushtimi, Pekini "mund të mos e ketë kuptuar shtrirjen e plotë të tij".

"Sepse është e mundur që z. Putin t'i gënjente ata në të njëjtën mënyrë siç gënjeu evropianët dhe të tjerët," -tha Sullivan.

Në  përgjigje, një zëdhënës i ministrisë së jashtme në Pekin, Zhao Lijian, tha se SHBA po përhapte dezinformata.

Ai shtoi se qëndrimi i Kinës ka qenë gjithmonë i qëndrueshëm dhe se Kina po luante një rol konstruktiv në nxitjen e bisedimeve.

E gjithë kjo ndodh ndërsa sot priten të takohen në Romë Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan me kryediplomatin kinez Yang Jiechi për të diskutuar rreth sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndikimin e tij në sigurinë rajonale dhe globale, tha një burim në dijeni të takimit.