Rusia gati për të pushtuar Ukrainën: Nuk përjashtohet marrja nën kontroll e qendrave të banuara

Rusia ka thënë se nuk përjashton mundësinë që të marrë nën kontroll qytetet e mëdha të Ukrainës, përfshirë Kievin edhe pse në fillim deklaroi se do të shkatërronte vetëm bazat ushtarake.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, nuk e përjashton mundësinë e marrjes nën kontroll të qyteteve të mëdha ukrainase.

Duke folur për mediet ruse, zëdhënësi i presidentit Putin deklaroi se kjo do të bëhej për të garantuar sigurinë e civilëve.

Peskov: Për të garantuar sigurinë maksimale për popullatën civile, Ministria e Mbrojtjes nuk përjashton mundësinë e vendosjes nën kontroll të plotë të vendbanimeve të mëdha, të cilat tashmë janë të rrethuara, me përjashtim të zonave të përdorura për evakuim humanitar.

Pretendimet e Moskës janë se pala ukrainase po përdor njerëzit si mburojë, duke vendosur bazat ushtarake pranë qendrave të banuara.

Aktualisht forcat ruse kanë marrë nën kontroll të plotë qytetin e madh në jug të Ukrainës, Kerson.

Sipas medieve dhe raportimeve të të dyja palëve, Rusia po bën përpjekje të forta për të hyrë në kryeqytetin e Kievit si edhe në 5 qytete të mëdha: Çernhiv, Sumi, Karkiv dhe Mariupoll.

Rusia që në 24 shkurt, kur nisi të ashtuquajturin operacion special tha se do të çmilitarizonte infrastrukturën ushtarake të Ukrainës, megjithëse nuk kanë munguar as sulmet ndaj civilëve duke shkatërruar pallate dhe banesa të tjera.