Evropa me rritjen më të madhe të importeve të armëve, Serbia pranoi armë nga Bjellorusia
Rajoni i Evropës ka shënuar rritjen më të madhe të importeve të armëve: për 19 për qind në periudhën 2017-2021, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë eksportuar më shumë armë sesa Rusia.
Në raportin e publikuar më 14 mars nga Instituti Ndërkombëtar i Paqes (SIPRI), me seli në Stokholm, thuhet se krahasuar me periudhën 2012-2016, kjo rritje e importeve të armëve në Evropë përbën 13 për qind të të gjitha transfereve globale të armëve.
Sipas raportit, importuesit kryesorë të armëve në Evropë janë: Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Holanda, ndërkaq shtetet e tjera evropiane po ashtu pritet të rrisin importin e armëve në dekadën e ardhshme, pasi veçse kanë marrëveshje për blerjen e tyre, veçmas të avionëve luftarakë nga Shtetet e Bashkuara.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia përmendet në raport si pranuese e dërgesave të armëve nga Bjellorusia. Bjellorusia, ndërkaq, radhitet në vendin e 20-të të shteteve që eksportojnë më së shumti armë, raporton REL.
Pesë eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë janë: SHBA-ja, Rusia, Franca, Kina dhe Gjermania dhe këto shtete së bashku përbëjnë 77 për qind të eksporteve të armëve në botë, shkruan REL