"Turp është të thuash jemi në luftë dhe të shkosh në Dubai", aktivisti i përgjigjet Ramës: Nuk dorëzohemi!

Aktivisti Migen Qiraxhi përballë kryeministrisë u shpreh se shumica është në shesh dhe po izolon kryeministrin brenda dyerve të hekurta të kryeministrisë. Rama akuzoi protestuesit se po turpërojnë Shqipërinë në sytë e botës duke protestuar. Qiraxhi tha se turp është që të mos kujdesesh për popullin dhe mos bësh punën.

Qiraxhi: Shumica janë në këtë shesh sot duke izoluar në vetminë e madhe kryeministrin prapa këtyre dyerve të hekurta. Ne i themi kryeministrit se turp është të vjedhësh, turp është mos vësh punën dhe të lësh popullin të varfër. Turp është të tallesh me njerëzit, turp është të thuash jemi në luftë dhe të shkosh në Dubai. Turp është kur në Ukrainë funksionon shteti dhe në Shqipëri paralizohet, turp është kur bombat bien në Ukrainë dhe viktimat janë në Shqipëri. Ne dolëm që ta ndalim, dolëm për dinjitetin tonë. Qytetarët çdo ditë po fitojnë dinjitetin e tyre, dalin për hallin e vet. Sot jemi mbledhur për t'i thënë që nuk dorëzohemi.

Ai shtoi se qytetarët i nxori në rrugë halli. 

Pedagogu Ervin Goci në mbështetje të qytetarëve tha se populli sot komunikon vetëm me njëri-tjetrin dhe nuk komunikon me politikanët që i rekrutojnë për ushtarë por nuk dinë t'i japin asnjë mundësi.

Goci: Sot ju kërkoj si shqiptari shqiptarit, merrni një faturë në dorë dhe hajdeni tregojani pak se si është të jetosh sot në Shqipëri. Këtu problemi është mbijetesë dhe në mbijetesë nuk ka teori, vetëm përgjigje dhe masa. Ne nuk pamë asnjë masë.