Protesta në Tiranë, policia procedon 6 persona, paralajmëron të mos bllokohen rrugët
Pas protestës së djeshme lidhur me çmimin e naftës, Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 6 persona.
Sipas policisë, procedimi i tyre është bërë pasi penguan qarkullimin e mjeteve të transportit, dhe prishën rendin dhe qetësinë publike gjatë protestës së ditës së djeshme.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 11 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, proceduan për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike", "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", kryer në bashkëpunim, shtetasit: - E. D., 33 vjeç, R. R., 25 vjeç, B. M., 19 vjeç, L. Xh., 29 vjeç, A. S., 30 vjeç dhe B. M., 20 vjeç.” – bën me dije policia.
Policia e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së datës 11 mars 2022.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.

