Alarm për kanabisin, Gledis Nano paralajmëron policët që mbyllin sytë para fenomenit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, paralajmëroi ndëshkim për çdo punonjës policie i cili me veprime apo mosveprime lejon kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Sipas tij, fenomeni i kultivimit të kanabisit është minimizuar por tendenca e prodhimit vijon të jetë në shifra të larta.

"Kultivimi i kanabisit në terrene të hapura është duke u minimizuar dhe ka një tendencë mbjellje në sasi të vogla. Ndaj atyre punonjësve të policisë që do të shikohet neglizhencë dhe aq më keq abuzim me detyrën do të qëndrohet fort dhe për këtë jam shumë i vendosur. Kam kërkuar ndihmën dhe të SHÇBA, me të cilët kemi bashkëpunim shumë të mirë. Do të ndalohet pa asnjë kompromis çdo punojës policie që bën sikur nuk shikon, bën sikur nuk dëgjon."

Po ashtu kryepolici ngriti dhe një herë shqetësimin e kultivimit të kanabisit në ambjente të mbyllura, ku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për goditjen e fenomenit.

"Problematika tjetër janë shtëpitë e barit. Policia e vetme nuk mund ta bëjë këtë punë. Aleati i jonë  kryesor në terren është komuniteti. Do të kërkoja një bashkëpunim edhe më të madh nga komuniteti."

Angazhim më të madh Nano kërkoi nga të gjithë institucionet si OSHEE dhe kryepleqtë që duhet të referojnë rastet e kultivimit të kanabisit.

"OSHEE ka rol të rëndësishëm dhe kryepleqtë kanë sy dhe veshë dhe marrin vesh çfarë ndodh në territor, e dinë shumë mirë se çfarë ndodh në territor. Ky është detyrim i përbashkët për të luftuar këtë problematikë."

Duke u ndalur te përdorimi i drogës dhe trafikimi i saj drejtori i përgjithshëm i policisë tha se duhet të ketë kontroll më të shtuar në institucionet e arsimit si dhe arrestimin e të gjithë personave që shesin lëndë narkotike aty me qëllim që kjo vepër penale të mos dëmtojë moshat e reja.