Çmimet e larta mbushën për të dytën ditë bulevardin, ritakimi nesër te Kryeministria

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" u mbush sërish këtë të enjte me protestues, të cilët kërkuan uljen e çmimeve.

Me këtë banderolë të rinjtë i bënë thirrje kryeministrit ti dalë në mbrojtje popullit dhe jo oligarkëve.

Nisja prej orës 17:00 vazhdoi deri në mbrëmje vonë, ku si asnjëherë tjetër pa asnjë thirrje politike qytetarët mbushën sheshin nga ura e Lanës dhe deri në fundin e Kryeministrisë.

Aktivistë, qytetarë të thjeshtë por dhe të tjerë dolën para folëse me një argument, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe uljen e çmimeve.

"Kjo protestë është mbledhja e gjithë mllefit."

Artisti  Osman Mula ishte një ndër ata që solli në vëmendje pensionin e ulët, pavarësisht kontributeve që ka dhënë ndër vite.

"Jam Artist i Popullit dhe marr 300 mijë lekë pension. Me datën 1 e marr dhe me datën 6 nuk kam pare. Të të vijë turp."

Si ndriçim edhe këtë radhë shpesh përdorën dritën e celularit, ndërsa deklaruan se do të vazhdojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë çdo ditë deri në reagimin e kryeministrit.

Policia shoqëroi dhjetëra protestues deri në shpërndarjen e  plotë të saj, pak para orës 21:00.

Mësohet se të shoqëruarit ndodhen në komisariatet 1, 2 dhe 3.

Protesta pritet të vijojë dhe nesër në të njëjtin orar, 17:00.