Tiranë/ I hedhin bluzën në kokë, 4 policë fusin protestuesin në makinë
Policia shoqëroi me forcë në makinë një të ri i cili së bashku me të rinjtë e tjerë protestues tentuan të bllokonin kryqëzimin tek rruga "Myslym Shyri", pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë.
Pasi i hodhën një rrobë në kokë dy policë morën djalin dhe e shoqëruan deri në makinë.
Aty më pas u deshën 4 policë për ta futur forcë brenda në makinë.
Të rinjtë dolën sot në protestë për rritjen e çmimeve. Ata tentuan të bllokonin disa rrugë makinash në Tiranë dhe policia u përpoq të lironte rrugët.
Përmes një njoftimi për median policia tha se “Gjatë përfundimit të protestës disa grupe të rinjsh kanë bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, si dhe po kundërshtojnë thirrjet e punonjësve të Policisë për të mos bllokuar rrugët pasi bllokimi i tyre përbën vepër penale.
Nisur nga situata e krijuar, Policia e Shtetit bëri thirrje për personat që kanë bllokuar rrugët dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë, të ndalin menjëherë këto veprime dhe të shpërndahen, pasi do përballen me forcën e ligjit”.