"Do përballeni me forcën e ligjit", thirrja e policisë për protestuesit te bulevardi

Policia u ka bërë thirrje publike protestuesve të shpërndahen. Në një njoftim për mediat në orën 20:25, policia përsërit se bllokimi i rrugëve është vepër penale.

"Në vijim të protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë përfundimit të protestës disa grupe të rinjsh kanë bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, si dhe po kundërshtojnë thirrjet e punonjësve të Policisë për të mos bllokuar rrugët pasi bllokimi i tyre përbën vepër penale.Nisur nga situata e krijuar, Policia e Shtetit bën thirrje për personat që kanë bllokuar rrugët dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë, të ndalin menjëherë këto veprime dhe të shpërndahen, pasi do përballen me forcën e ligjit".

Policia e Shtetit thotë se është e vendosur të jetë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, edhe të atyre që protestojnë në mënyrë paqësore, si një e drejtë kushtetuese, por nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë veprime që bien ndesh me ligjin dhe cënojnë rendin e sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Ndryshe nga protesta e një dite më parë, në protestën e sotme policia ka bërë shoqërime masive të protestuesve, kryesisht drejt fundit të protestës.