Çmimi i naftës, keqmenaxhim i Ramës, Zef Preçi: Qeveria të ndalojë së keqpërdoruri buxhetin e shtetit
Ekspertët thonë se keqmenaxhimi i buxhetit të shtetit është faktori kryesor i rritjes së të gjitha çmimeve përfshirë edhe karburantet. Eksperti Zef Preçi në një intervistë për Ora News shprehet se problemi qëndron tek organizimi i dobët i qeverisë për të përballuar këtë situatë.
Rritja e çmimit të naftës është pasuar me një revoltë qytetare të menjëhershme por edhe me një pikëpyetje mbi mënyrën si veprojnë operatorët e tregut ndaj luhatjes së çmimit në bursë. Eksperti Zef Preçi thotë se problemi qëndron tek moskoordinimi i çmimit të bursës me tregun e brendshëm.
“Rritet bursa, rritet nafta, ulet bursa, prapë te ne rritet nafta”
Problem tjetër, sipas tij është edhe mungesa e politikave që stimulojnë prodhimin vendas dhe moskoordinimi i duhur i import-eksportit të naftës.
“Shqipëria disponon 40% të rezervave të naftës bruto në të gjithë ballkanin, ne importojmë gjithë sasinë që konsumojmë dhe eksportojmë të gjithë sasinë që prodhojmë. Pra mungojmë politikat që zhvillohen në politikat vendas.”
Ekspertët mendojnë se për të dalë nga kjo situatë qeveria duhet të heqë dorë nga keqpërdorimi i shtetit.
“Qeveria mund të heqë dorë nga rrugët elektorale, nga pagesat e panevojshme të kontratave të incineratorëve.”
Preçi përshëndeti edhe protestat e qytetarëve si një formë e ushtrimit të demokracisë pasi çmimi i naftës shënoi rekordin prej 265 lekë për litër.
