"Duhet të mbrojmë Shqipërinë nga përshkallëzimi deri në ushtarak" Qeveria ngre komitet special. Rama: Është luftë reale

Qeveria ka vendosur të ngrejë komitetin special për  menaxhimin e skenarëve të mundshëm, nga ato më të thjeshtit deri më të vështirët.  Rama tha se duhet të mbrojmë Shqipërinë nga agresioni  dhe përshkallëzimi i agresionit deri në ushtarak.

Rama: Kemi vendosur të ngremë komitetin special dhe për këtë arsye jemi ulur q në ditën e parë të nisjes së kësaj katastrofe për tu përgatitur skenarët e mundshëm, nga skenarët më të thjeshtë dei te skenarët më të vështirë.

Skenari më i vështirë është që duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për situata shkurtimesh dramatike të gjithë furnizimeve me energji apo me naftë.

Të jemi të qartë se edhe kjo mund të vijë edhe pse ky është skenari më dramatik, sepse zëvendësimi i burimeve që prej kaq shumë vitesh janë burime që janë siguruar nga Rusia është jashtëzakonisht i komplikuar. Por njëkohësisht detyrimi për të mbrojtur jetët e njerëzve, për të qëndruar në front në mbështetje të Ukrainës është i pashmangshëm.

Të gjitha këto shtrëngime që unë uroj dhe do bëjmë çmos që të mos kthehen në sakrifica reale të natyrës ekonomike kanë një qëllim që është të mbrojmë jetën, shëndetin, të mbrojmë Shqipërinë nga agresioni  dhe përshkallëzimi i agresionit deri në ushtarak. Dhe kur them Shqipërinë, si pjesë e këtyreve vendeve që po bëjnë këto përpjekje.

Qëllimi është që të mbrohemi tani. Sa na takon ne në përmasën tonë modeste do të bëjmë çmos të mbrojmë njerëzit tanë. Nuk është film që ajo që shikojmë në ekrane orë e çast.

Është luftë reale siç e kemi parë në filmat e Luftës së Dytë Botërore, dhe vitin famëkeq të përpjekjes shtazarake për pastrim etnik në Kosovë. Por kjo ka brenda dimensionin e një fuqie ushtarake të paneglizhueshme që mund të përshkallëzojë verbërisht agresionin e vet edhe brenda edhe jashtë kufijve të NATO-s. Insistoj të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që ka ndryshuar bota në këto 10 ditë ku jetojmë dhe është kthyer përmbys. Jemi në kushte lufte.