Basha i "tremb" me Berishën, Duma: Lideri, 90% i partisë. Keni humbur shumë beteja. Kërkohet rihapja e garës
Kritike me kreun e PD-së Lulzim Basha pas humbjes së zgjedhjeve në 6 bashki ka qenë edhe nënkryetarja e kësaj partie Grida Duma.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Duma i ka kujtuar Bashës se ka humbur shumë beteja elektorale dhe zgjidhja e problemit brenda demokratëve nis pikërisht nga pranimi i këtij fakti dhe jo frikësimi i tyre me ardhjen e Sali Berishës në krye të PD-së.
Grida Duma: Lideri në një parti politike është 90 % dhe numrat dy, tre apo 27 çfarëdo të bëjnë nuk e zëvendësojnë dot as përmirësojnë dot liderin. Dëgjova që e niset fjalën tuaj kryetar duke thënë ose me mua ose këtu do t'ju vijë Sali Berisha. Sali Berisha duke dashur t'ju mundë ju, mundi Partinë Demokratike.
Në këtë garë për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë ne bëmë gjithçka të mos e bënim betejën Berisha kundër Bashës por nuk e evituam dot. Ju thoni sot këtu “o të jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha”. Pra o unë, o askush nuk mundet. Çka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është edhe më i rrënjosur.
Pyetja tjetër është: Si do bëjmë që përtej meje të ngrejmë Partinë Demokratike për vete, Partinë Demokratike. Cilën pyetje po na drejtoni, të parën apo të dytën?
Kjo garë u bë PD kundër PD dhe kjo nuk është në asnjë moment e pranueshme më. Nëse doni të jeni i sinqertë bëni pyetjen troç. Ka dy pyetje të mundshme që mund të na bësh. E para, ju lutem bëhuni me mua të gjithe që unë të mbaj Partinë Demokratike se kështu dua unë si individ. Nëse doni të jeni i sinqertë vërtet, ju keni humbur shumë beteja dhe nga ky pranim nis zgjidhja.
Ramadan Lika: Nuk të kam kërkuar kurrë gjë dhe të kam kthyer Koplikun si fitues, jam gati të dorëzoj mandatin. Duhet zgjidhje, thua se s'kena humb, si nuk kena humb, jemi shkatërru. Nuk duhet të dalim pa vendim që këtu.
Kasem Mahmutaj: Duhet një garë e hapur, të gjejmë kush e bashkon nëpërmjet zgjedhjeve. Ne mund të flasim gjithë natën por këtij debati zgjidhje i jep vota.
