"Shpëtoni siglën e PD!" Bozdo apel kolegëve krah Bashës: O jeni pro ose kundër rrënimit! E qartë kush është opozita
Teatri mbaroi dhe perdja ra. Eno Bozdo, anëtar i grupit të Rithemelimit, thotë se demokratët duhet të ndajnë mendjen se ku do të pozicionohen pas humbjes spektakolare të PD nën drejtimin e Lulzim Bashës.
I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai thotë se deklaratat e disa prej bashkëpunëtorëve të kryedemokratit për "të larë duart" nuk mjaftojnë.
Bozdo: Kishin kohë ti bënin këto deklarata dhe në humbjen e 25 prillit dhe nuk e bënë. Nuk u mungon informacioni politik. Nuk mund të shfaqen sot të habitur. Apeli që u bëj miqve dhe kolegëve të mi që janë ende aty është që gjëja tashmë është shumë e qartë: Teatri ka mbaruar, perdja ka rënë, maskat janë hequr. Kuptohet kush është ku dhe nuk ka më asnjë mënyrë për tu fshehur pas gishtit. Është çast historik për PD dhe këta individë kanë në dorë ose të pranojnë një pozitë qesharake në mungesë të plotë të dinjitetit, fshehur në gënjeshtrat e humbjeve që nuk pranohen dhe fitoreve imagjinare të Bashës dhe të qëndrojnë pa bërë asgjë ose të reagojnë dhe të shpëtojnë atë sigël historike nga rrënimi i mëtejshëm. Një sigël e re ka dalë tashmë që është Shtëpia e Lirisë. Këtu o je pro kësaj që ndodh, o je kundër.
Rezultati i arritur nga Shtëpia e Lirisë është frymëzues thotë ai marrë parasysh dhe rrethanat dhe kohën e shkurtër në dispozicion për organizim.

Bozdo: PD dhe Komisioni i Rithemelimit arritëm në kohë rekord në kushte shumë të vështira të fitonim një bashki tardicionale dhe të merrnim rezultat dinjitoz në dy bashki të tjera të vendit. Rrethanat ishin të tilla që nuk lejuan kandidatët e Shtëpisë së Lirisë ti fitonin këto zgjedhje sot por besoj se në një vit si sot do kemi zgjedhjet e përgjithshme, Durrësi, Lushnja e bashki të tjera do të jenë në fokusin tonë thelbësor.Basha sfidoi skenën politike, mbajti fraksionin dhe vulën dhe rezultatet ja ku janë.
Por a mjafton kjo për të mundur Ramën?
Bozdo: Absolutisht jo. Sfidat tona fillojnë sot e tutje. Duhet të ngrihemi mbi këto rezultate. Mendimi thelbësor shkon në bashkimin e demokratëve. Ky rezultat zgjedhor i dha një përgjigje të fundme kush është ku dhe cila është opozita e vërtetë dhe kë duan shqiptarët për opozitën e vërtetë. Duhet të marrim kohën tonë për të riorganizuar partinë, nuk ka nevojë të ngutemi, duke shtrirë dorën e bashkëpunimit. Do ketë një rrjedhje të mëtejshme të zotit Basha drejt familjes natyrore të PD.
E ndërsa Basha u justifikua sërish me pretendimet për masakër zgjedhore, Bozdo ka këtë koment.
Bozdo: Ne na falej të mos njihnim këtë mekanizëm kapilar të hajdutërisë masive të votave vetëm në 2016 në Dibër, u përballëm për herë të parë me një mekanizëm të tillë. Sa herë të ketë zgjedhje kjo do të ndodhë, problemi jemi ne. A mundet të ngremë frymë mjaftueshëm që gjërat jo vetëm duhen ndryshuar por ne jemi ata që mund të bëjmë ndryshimin. Sa të vazhdojë Edi Rama të jetë kryeministër e ka perfeksionuar vjedhjen në atë mënyrë sa është vështirë të gjejme prova. Por nuk mundemi të shfajësohemi pafundësisht me këtë. Nëse nuk jemi të aftë ta bëjmë ne, ti hapim rrugë brezit të ri. Ka qenë koperturë mosinteresimi i Ramës në fushatë por njerëzit e tij në terren kanë punuar ashtu si dinë të punojnë ata, me efiçencë absolute për të vjedhur çdo votë.
