Balluku paralajmëron: Pritet që çmimi i energjisë të shkojë në 1 mijë euro për megavat orë
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një deklarate për mediet së bashku me kryeministrin Rama u shpreh se kriza energjitike nuk ka nisur me luftën në Ukrainë dhe as në fillim të këtij vitit. Sipas saj kriza energjitke është shfaqur në verën e kaluar, 2021.
Balluku: Në dhjetor kemi marrë një vendim për të mbrojtur bizneset e mesme. Është një vendim i përkohshëm pasi në janar të vitit 2022 duhet të dilnin në tregun e lirë. Qeveria shqiptare mori një vendim që në fund të muajit maj do ridiskutohet nëse mund t'i mbrojmë këta abonentë nga ekspozimi në tregun e lirë. E vetmja fashë që prej disa vitesh i drejtohet tregut të lirë është ajo e biznesit të madh.
Balluku paraqiti disa fate të vendeve evropiane të cilat kanë vendosur të rrisin energjinë. Sipas saj, Britania e Madhe ka vendosur që nga prilli 2022 të rrisë energjinë me 54%, në Gjermani qeveria nuk do të marrë asnjë masë për të subvencionuar klientët pasi është një mall që tregtohet në një treg privat dhe është e drejtë e konsumatorit dh tregtuesit që të gjejnë gjuhën e tyre. Në Gjermani tha Balluku, çmimi është rritur me 65%, ndërsa në Itali pritet të rritet me 55%.
Balluku: Dje bursa energjitike ka arritur për herë të parë një çmim rekord që është 550 euro. Ky është një çmim i paralajmëruar. Edhe sekretariati i vendosur në Vienë ka paralajmëruar që do ketë një rritje të çmimeve ekspancionale deri në fillim të verës dhe lajmi i keq është që nuk është ky tavani. 550 do ndryshojë duke u rritur dhe flitet për shifra që mund të arrijnë deri në 1000 euro në megavat/orë.
