Nafta 230 lekë litri, kërkohet dyfishimi i çmimit të biletës për transportin urban
Udhëtimi me urban pritet t'i kushtojë më shtrenjtë qytetarëve të Tiranës. Bileta nga 40 lekë pritet të shkojë në 80 lekë.
Shoqata e Transportit Publik në një kërcënim të padrejtë për qytetarët, kërkon dyfishim të çmimit të biletës, në një kohë që shtrenjtimi i karburanteve është e vetëm 20 përqind.
Ata thonë se nuk e përballojnë dot shtrenjtimin e hidrokarbureve ndaj janë të detyruar që koston ta pasqyrojnë në çmimin e shërbimit përndryshe rrezikojnë të falimentojnë.
"Siç e shohim stacionet janë plot me njerëz sepse nafta dje na erdhi njoftimi që në pikat e furnizimit do jetë 220 lekë për litër me shumicë. Natyrisht kjo ishte e frikshme sepse asnjë nga operatorët nuk ka kapacitet financiar që të vazhdojë operimin me kapacitet të plotë, por ndërkohë edhe t'i shërbejë qytetarëve. Nëse do vazhdojmë me këtë situata kapitullimi i transportit do jetë për 3-4 ditë maksimalisht.
Ne jemi të varur nga rritja e çmimit të naftës dhe duke pasur një heshtje totale nga instancat ne konkretizuam pikat konkrete se çfarë na duhet që të shpëtojmë nga kjo situatë e vështirë ekonomike. Ajo që u vendos të kërkohet më parë dhe që është më emergjentja është rritja e çmimit të biletës. Kjo për shkak se do jepte nëj mundësi që të kishim transport në Republikën e Shqipërisë. Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë është llogaritur nga ekspertët tanë në 80 lekë për biletë njëpërdorimshme", tha kreu i shoqatës Dashnor Mema.
Në stacionet e kryeqytetit këtë të martë njerëzit qëndruan gjatë në pritje. Kjo për shkak se kompanitë nuk po operojnë me kapacitet të plotë por vetëm me gjysmën e flotës.
"Dikush ka mbyllur 1 autobus, dikush më shumë, në varësi të mundësisë financiare që ka për të ofruar këtë shërbim."
Për qytetarët rritja e çmimit të biletës është e papranueshme dhe kosto shtesë për ekonomitë e tyre të brishta.
"Minimumi që duhet të rritet bileta duhet të jetë nga 40 në 50 lekë, do të jetë e pranueshme, por jo dyfish."
"Ku ka më shtrenjtë."
"Këtu çdo gjë po rritet, nuk mund të jetohet në Tiranë."
Thonë se do detyrohen të mos e përdorin transportin publik dhe rrugët t`i përshkojnë në këmbë.
"Edhe 40 lekë ishte shumë."
Për herë të fundit bileta për transportin publik u rrit në shkurt të vitit 2016, me 10 lekë. Atë kohë kompanitë premtuan përmirësim të shërbimit por edhe pas 6 vitesh urbanët e kryeqytetit nuk plotësojnë as kushtet minimale.

