Shqipja drejt harresës, Shkurtaj: Shteti të sigurojë që punonjësit e tij të jenë njohës të gjuhës
Gjuhëtarët dhe studiuesit japin alarmin për keqpërdorimin e Gjuhës Shqipe.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare profesori dhe studiuesi, Xhevat Lloshi, theksoi rëndësinë e mbrojtes së shqipes nga çdo folës i saj.
Xhevat Lloshi: Mbrojtja e gjuhës, e kulturës së saj është edhe mbrojtje e demokracisë. Kujdesi për gjuhën shqipe sot është jo kujdesi për disa shkronja, jo për të marë një tingull dhe për të lënë një tingull tjetër krahinor, është kujdesi për një gjuhë që i shërben jo vetëm shtetit brenda kufinjve të cunguar, por ju shërben shqiptarëve në nivelin kulturor.
Për profesorin dhe studiuesin, Gjovalin Shkurtaj, Gjuha Shqipe rrezikohet nga prurjet e gjuhëve të tjera ndërkohë që shteti duhet të marrë masa për këtë çështje.
Gjovalin Shkurtaj: Jam i bindur se të gjithë sa jemi këtu kemi ndjerë dhe përjetojmë jo pak shqetësim rënien e kujdesit ndaj Gjuhës Shqipe, prurjet e pamira, të pafajshme, të papërshtatshme dhe të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur, që nuk po na ndahet as në të shkruar as në të folur. Shteti duhet të kërkojë që punonjësit e tij të jenë njohës të mirë të Gjuhës Shqipe.
Gazetari dhe studiuesi, Ben Andoni, vlerëson se problemi më i madh është përdorimi i pakët deri në mosnjohje i gjuhës shqipe tek fëmijët.
Ben Andoni: Të flasësh me nxënësit ulqinakë flitet shqip normal, nëse do flisni për një strukturë ideore, aty ku pregatitja e njeriut kap rrafsh subjektiv, fëmija nuk di të përgjigjet shqip.
Ky problem, shfaqet edhe tek të rinjtë, të cilët e kanë kthyer në trend përdorimin e fjalëve të huaja.
Ben Andoni: Të quhesh i kulturuar në Prizren duhet të flasësh turqisht.
Sipas dijetarëve Gjuha Shqipe duhet të marrë vendin që meriton, duhet mbrojtur dhe vlerësuar si simbol etnik dhe kombëtar i shqiptarëve.

