Nafta vendos rekordin e ri, 230 lekë litri
Çmimet e karburanteve në Ballkan janë duke u ngritur çdo ditë duke arritur shifra alarmante.
Nëse deri në fillim të kësaj jave 1 litër naftë blihej me 193 lekë këtë të shtunë ka arritur në 220-234 lekë.
Situata paraqitet e njëjtë edhe tek fqinjët tanë. Në Kosovë karburanti mbetet më i lirë se në Shqipëri, por ka regjistruar rritje gjatë këtyre ditëve duke arritur një vlerë prej 1.60 euro për litër.
Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, ka paralajmëruar se rritja do arrijë deri në 2 euro.
Për këtë situatë, qeveria e Kosovës mori vendim për të fiksuar çmimin e naftës duke e mbajtur në kontroll.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut aktualisht ka çmimin më të ulët, por edhe ky vend ka parë shtrenjtim. Për një litër naftë shtetasit maqedonas janë duke shpenzuar 1.40 euro për litër nga 1.30 euro që ishte në fillim të javës.
Në këtë vend u krijua një situatë e pazakontë pasi qytetarë të shumtë zunë radhën për të blerë karburant.
Kjo situatë është shfrytëzuar edhe nga disa nga pikat, të cilat kufizuan në mënyrë të paligjshme shitjen, për të mbledhur rezerva, me qëllim shitjen me çmim më të lartë.
Por edhe Serbia nuk është pas me vlerën më të lartë në rajon me 280 lekë për litër. Për të ndaluar rritjen e çmimeve, qeveria do të propozojë që akciza të pezullohet.
Krahas rritjes së vazhdueshme të kuotave të arit të zi në bursa mbi çmimet e karburanteve në vendin tonë rëndon barra e lartë fiskale.
Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 120-130 lekë për litër.
Nga ana tjetër, shtrenjtimi i karburanteve pritet të janë impakt të drejtpërdrejtë në shumë sektorë, ku më të prekurit do të jenë transporti dhe prodhimi.
