Nafta arrin 210 lekë, çmimi i karburanteve arrin nivel rekord në tregun shqiptar

Tetë ditë pas fillimit të luftimeve në Ukrainë çmimi i naftës ka shënuar rritje rekord në Shqipëri duke arritur në 210 lekë për litër. Të parët që e ndjejnë rritjen e çmimit janë drejtuesit e automjeteve, të cilët kërkojnë që shteti të marrë masa për të mbrojtur konsumatorët. Megjithëse çmimet kanë pësuar rritje edhe në vendet e rajonit, sërish kostoja e karburantit në Shqipëri mbetet më e lartë.

Çmimi i karburanteve në tregun shqiptar ka pësuar rritje të ndjeshme, ku një litër naftë shkon deri në 210 lekë ndërsa benzina 216 lekë.

Në disa pika të karburanteve në kryeqytet nafta shitet për 205 lekë, por ajo që bie në sy është se tashmë shifrat e kanë kaluar 200 lekë për litër.

Shtrenjtim ka pësuar edhe gazi, i cili ka shkuar në 89 lekë për litër. Por për qytetarët rritja e çmimeve është e papërballueshme.

"Më tepër se duhet. Kam biznes dhe me djemtë kemi diskutuar të dalim në punë njëherë në dy ditë."

"Lufta i ka këto."

"Në klrahasim me rrogat është absurde."

"Katastrofë."

"Buka është shtrenjtuar, nafta po, të gjitha."

Konsumatorët kërkojnë që qeveria të marrë masa për mbajtjen në kontroll të çmimeve.

"Tregtarët nuk e kanë blerë naftën sot, aty e kanë pasur."

"Qeveria të ndihmojë pak, të heqë taksën, të subvencionojë."

Tendenca e rritjes së çmimit të karburanteve është vënë re në tregun ndërkombëtar.

Në Kosovë karburanti mbetet më i lirë se në Shqipëri, pasi një litër naftë shitet 1.45 euro për litër, benzina shitet 1.45-1.47 lekë ndërsa gazi tregtohet me 79 cent.