Dy projekte për 3.2 mld euro, Rama flet për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe realizimin e Korridorit të 8-të
Hekurudha Durrës-Prishtinë dhe Korridori i 8-të që lidh vendin tonë me shtetet e rajonit ishin dy projektet që kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë në Londër në tryezën me investitorët e huaj. BERZH hedh në tryezë fondin prej 3.2 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit.
Hekurudha Durrës-Prishtinë dhe Korridori i 8-të që lidh vendin tonë me shtetet e rajonit janë dy projektet që Qeveria shqiptare tenton të thithë investitorët e huaj që janë pjesë e programit për 3.2 miliardë euro, fond ky i akorduar për vendet e Ballkanit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
"Shpresojmë se do mund të bëjmë më shumë po së pari duhet t'jka dalim mbanë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Maqedoninë e Veriut për Korridorin 8".
Në samitin e 5 të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Londër, kryeministrat e 6 vendeve të rajonit shpjeguan arsyet se pse investitorët duhet të investojnë në vendet e tyre.
Për kryeministrin Rama projektet e synuara nga Shqipëria do t’i shërbejnë të gjitha vendeve të rajonit.
"Këto janë dy drejtime që do ti japin një shtytje plotësuese jo vetëm vendit tonë, por edhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor."
Për vitin që lamë pas BERZH ka investuar në Shqipëri 201 milionë euro, ndërsa në Serbi vlera e investimeve është rreth 500 milionë euro.
Ndërkohë Mali i Zi rezulton se ka marrë vetëm 22 milionë euro nga BERZH-i, ndërsa Kosova 50 milionë euro.
Projektet e paraqitura nga kryeministrat e 6 vendeve synojnë investimet në sektorin energjetik, infrastrukturë dhe digjitalizim.
Ndërkohë,komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi njoftoi se paketa e parë e investimeve për vendet e Ballkanit Perëndimor është me vlerë 3.2 miliardë euro dhe është pjesë e planit ekonomik prej 30 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
