Taksë fikse për biznesin e vogël, tatimi mbi xhiron 2-4% për bizneset me të ardhura deri në 8 mln
Qeveria shqiptare thotë se ka nisur konsultim e reformës fiskale që synon të ndërmarrë në periudhën afatmesme 2022-2026.
Paketa ka si qëllim të përfshijë në taksim biznesin e vogël dhe të heqë të gjitha stimujt e dhënë nga përjashtimet fiskale për bizneset.
Dokumenti i Ministrisë së Financave nuk është bërë ende publik. Burimet thonë se bizneset e vogla do të trajtohen me një skemë të thjeshtë, me prag të ulët të të ardhurave dhe me kërkesa më të thjeshtuara të mbajtjes së regjistrimeve.
Kështu pas 3 vitesh qeveria synon që për bizneset me të ardhura deri në 1 milion lekë të aplikohet një taksë fikse prej 25 mijë lekësh, ndërsa për tatimpaguesit me të ardhura deri 8 milionë lekë në vit, do të prezantohet një regjim tatimor i thjeshtuar bazuar në aplikimin e një tarife 2-4% mbi të ardhurat bruto dhe jo të taksohen mbi fitimin neto.
Në janarin e vitit 2021 tatimi mbi fitimin i biznesit të vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë u bë 0%.
Këto masa vijnë pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka sugjeruar të rishikohet niveli i të ardhurave për përcaktimin e normës së tatimit mbi fitimin.
Sipas FMN, biznesi i vogël duhet të taksohet me një tarifë vjetore fikse.
Në njoftimin e Ministrisë së Financave thuhet se kjo reformë do të ndikojnë në rritjen e të ardhurave tatimore dhe përmirësimin e politikave fiskale.
Edhe raporti i fundit i Bankës Botërore për Shqipërinë theksoi se ndryshime të shumta dhe të shpeshta të legjislacionit tatimor kanë ndikuar edhe në uljen e performancës në mbledhjen e të ardhurave.
