Lufta rrit çmimin e miellit, në Klos për tri ditë çmimi për kuintal u rrit me 1200 lekë
Çmimi i miellit ka pësuar rritje të madhe brenda pak ditësh pas situatës së luftës në Ukrainë. Në Klos, çmimi për kuintal u rrit me 1200 lekë në krahasim me javën e kalur. Operatorët e tregut e kanë cilësuar të kotë panikun e qytetarëve për blerje pasi thonë se kanë gjetur burime të tjera furnizimi, ndërkohë që rezervat mbulojnë të paktën 3 muaj.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka sjellë që pasojat e para ekonomike edhe në vendin tonë.
Çmimi i miellit në Klos të mërkurën u rrit me 400 lekë të reja për kuintal në krahasim me të hënën.
"Çmimi i miellit është ngritur."
"Sot kuintali i miellit ishte 74 mijë lekë."
Blerësit shprehen se javën e kaluar çmimi i miellit ka qenë 6200 lekë, ndërsa sot ai është tregtuar me 7400 lekë për kuintal.
"Dje ka qenë 70, pardje 65 mijë lekë. Se ku do shkojë ky popull nuk e di."
"Shteti duhet të marrë masa patjetër."
Pas nisjes së luftimeve në Ukrainë, në Klos është parë një dyndje e madhe e qytetarëve për të blerë miell.
Tregu shqiptar është i varur nga mielli rus ndërsa vitin e kalaur vendi ynë importoi 50% të drithërave nga Rusia dhe Ukraina.
Importuesit më të mëdhenj kanë thënë se Shqipëria ka rezerva me grurë për 3 muajt e ardhshëm ndërkohë që operatorët në treg janë duke identifikuar tregje të reja furnizimi për të shmangur varësinë nga Rusia.

