Paratë e Tiranës në “kosh”, Veliaj jep 29.3 mln lekë pa konkurim për koshat dhe stolat dekorativë

Vijojnë tenderat me një konkurrent në Bashkinë e Tiranës. Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë ka zhvilluar një procedurë për riparimin e koshave dhe stolave dekorativë me një vlerë 29.3 milionë lekë. Tendera është fituar nga kompania Gerard-A dhe është shoqëruar me flamurin e kuq nga Open Data për mungesë konkurrence.

Pavarësisht denoncimeve në lidhje me procedurat e ndjekura për incineratorin e Tiranës, Bashkia e kryeqytetit nuk ndalet me tenderat problematikë.

Së fundi, Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë ka zhvilluar një procedurë me një fond limit prej 29.3 milionë lekësh.

Objekti i këtij tenderi është mirëmbajtja dhe riparimi i koshave dhe stolave dekorativë.

Sipas dokumenteve të Agjencisë së Prokurimeve Publike në garë ka marrë pjesë vetëm subjekti Gerdard A që është shpallur automatikisht edhe fituesi.

Kompania është në administrim të Sokol Kryeziut, Astrit Gjeçit dhe Irena Ndonit dhe rezulton se që prej vitit 2018 të ketë nënshkruar 15 kontrata me Bashkinë e Tiranës me një vlerë prej më shumë se 300 milionë lekësh të reja pa TVSH.

Dy prokurimet e fundit të Bashkisë Tiranë në lidhje me koshat dhe stolat dekorativë me një vlerë prej 37.4 milionë lekësh janë fituar po nga ky operator.

Edhe në këtë rast ashtu si dy procedurat e tjera për stolat dhe koshat nuk ka munguar sinjalizimi me flamur të kuq i Open Data për mungesë konkurrence.

Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj vijojnë të prokurojnë miliona lekë nga buxheti i shtetit në tendera, një pjesë e mirë e të cilëve pa garë.

Paratë e Tiranës në “kosh”, Veliaj jep 29.3 mln