Ankimohet tenderi i dezinfektimit të rezidencave qeveritare, kompania: Fituesi i paracaktuar
Tenderi me fond 2.6 milionë lekë për dezinfektimin e godinave qeveritare është ankimuar për shkak të kritereve të cilësuara si të pavend dhe diskriminuese. Një kompani kërkon aniulimin e garës pasi pretendon se kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor janë në kundërshtim me ligjin dhe paracaktojnë fituesin.
Tenderi për dezifektimin e ambienteve të jashtme dhe të brendshme të rezidencave qeveritare për vitin 2022 është ankimuar për parregullsi.
Një nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Bëhet fjalë për kompaninë Medial shpk në pronësi të Luftar Zebit, e cila ka ankimuar tenderin me fond limit 2.6 milionë lekë. Referuar dokumentit, ky operator pretendon se kriteret e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare janë hartuar në mënyrë të tillë që tenderi të shkojë drejt një fituesi të paracaktuar.
Sipas këtij operatori, autoriteti kontraktor ka përcaktuar një kriter të pavend, i cili cënon garën.
Në dokumentet e tenderit përcaktohet përdorimi i një insekticidi të emërtuar larvicid me varietetin bti+bs, të cilin e ka vetëm një kompani në Shqipëri.
Ky produkt në vendin tonë është monopol dhe kjo nënkupton që fituesi është i paracaktuar dhe tenderi është i centralizuar thuhet në ankesën e kompanisë.
Konkretisht është kompania amerikane NRG shpk, e cila ka ekskluzivitetin e këtij produkti dhe rezulton se ka fituar dhe tendera të tjerë me të njëjtin objekt prokurimi.
Subjekti ankimues kërkon heqjen e këtij kriteri pasi sipas tij është në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike. Kompania Medial shpk pretendon se tregu shqiptar ka dhe produkte të tjera larvicide, shumë cilësore të cilat i disponojnë disa operatorë ekonomikë në Shqipëri.
Madje shton se ky produkt do të përdoret në të gjitha pusetat me ujë të ndenjur ku depozitohen larvat e mushkonjave.
Tashmë mbetet në dorën e Komisionit për të dhënë vendimin nëse procedura do të lejohet të vijojë me të njëjtat kritere apo do të ketë një rishikim të saj.
